E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kërkon hakmarrjen në Prizren

Prishtina do të shkojë në Prizren për të nxjerrë hak ndaj Lirisë, pas humbjes së pësuar javë më parë. Bardhekaltrit janë të bindur për fitore, pasi synojnë ta rikthejnë kreun e tabelës. Në anën tjetër, prizrenasit synojnë ta përsërisin ndeshjen e fundit me prishtinasit, për t’iu kthyer fitores pas dy humbjesh rresht.

Liria dhe Prishtina do të përballen sot në mes vete, për herë të dytë në harkun e dy javëve. Prizrenasit fitonin me rezultat minimal, 1:0, herën e fundit. Mirëpo, ata i pret një punë e vështirë sot, pasi që bardhekaltrit kanë bërë progres, edhe pse barazuan në duelin e fundit me Drenicën.

Në anën tjetër, ekipi bardhezi vjen pas dy humbjeve radhazi në udhëtim, të fundit nga Vëllaznimi. Trajneri i prizrenasve, Skënder Shëngyli, është i vetëdijshëm se ekipi i tij do ta ketë vështirë ta mposhtë të njëjtin ekip dy herë, brenda një periudhe të shkurtër, por ekipi i tij do ta mundohet ta përsërisë ndeshjen e fundit ndaj prishtinasve.

“Të dy ekipet kanë qëllime të njëjta. Ne vijmë pas dy humbjeve radhazi, e Prishtina pas barazimit me Drenicën. Prandaj, të dyja ekipet synojnë t’u rikthehen fitoreve. Pres një ndeshje të bukur, por është e vështirë ta fitosh një ekip brenda një kohe të shkurtër dy herë. Kjo e bën edhe më të vështirë punën tonë”, deklaroi Shëngyli për Express.

“Neve na nevojitet motiv shtesë. Nga lojtarët pres që ta përsërisin ndeshjen e parë, ngase pa angazhim dhe pa mobilizim, nuk mund të arrish fitoren. Kemi lojtarë që janë të përqendruar, kërkoj nga ta të jenë agresivë, në suazat e korrektësisë. Në këtë sfidë, të gjitha rezultatet janë të mundshme”, vazhdoi Shëngyli.

Në anën tjetër, bardhekaltrit që drejtohen nga gjermani Wolfgang Jerat, janë të bindur se ekipi i tyre do të dalë mirë nga stadiumi ‘Përparim Thaçi’.

“Do të shkojmë për fitore, pasi që duam ta rikthejmë kreun e tabelës. Gjithashtu, duam të nxjerrim hak ndaj Lirisë, për humbjen e shkaktuar javë më parë. Jemi të përgatitur maksimalisht, por nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë për ne. Ne luftojmë për titull, kurse Liria për mbijetesë, prandaj na pret një punë e vështirë”, deklaroi mesfushori Driton Krasniqi. Kjo ndeshje fillon në ora 13:15.

E diel

Liria – Prishtina 13:15

Besa – Drenica 15:00

Lepenci – Trepça’89 15:00

Gjilani – Hysi 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›