Prishtina kërkon përtëritjen e marrëveshjeve me Shkupin
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi deklaroi në Prishtinë se Kosova kërkon përtëritjen e të gjitha marrëveshjeve me Republikën e Maqedonisë në nivel shtetëror, duke përjashtuar siglën e UNMIK-ut. Ai këtë e theksoi në një takim që zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi. "Marrëveshjet të nënshkruara më herët në mes të UNMIK-ut dhe Republikës së Maqedonisë, tani pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, duhet të përtërihen në mes dy qeverive", theksoi zëvendës-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Ademi dhe Kuçi e vlerësuan si çështje problematike vënien e taksave të sigurimit për shtetasit e Kosovës që hyjnë në territorin e Maqedonisë. Zyrtari i lartë i Qeverisë kosovare ka kërkuar heqjen e një takse të tillë, që Shkupi zyrtar paraprakisht e kishte hequr me Serbinë.