SHBA,Palin:Nuk do të kandidojë për Senatin
Ish-kandidatja republikane për zëvendëspresidente, Sarah Palin deklaroi se nuk është e interesuar të garojë për Senatin amerikan dhe preferon të mbajë pozicionin e saj si guvernatore e Alaskës. "Jo, nuk planifikoj të bëj një gjë të tillë, pasi mendoj se do t'i shërbej më mirë popullit të Alaskës si guvernatore", deklaroi Palin, të cilës i kanë mbetur dy vjet nga mandati i saj, në një intervistë për televizionin NBC. Interesi ndaj guvernatores 44-vjeçare ka mbetur i lartë që kur ajo dhe kandidati republikan për president, John McCain humbën një javë më parë zgjedhjet ndaj demokratit Barack Obama dhe kandidatit të tij për zëvendëspresident, Joe Biden. Ajo ka dhënë disa intervista që atëherë. Palin është përmendur si një kandidate e mundshme për presidente në vitin 2012 ose si një kandidate e mundshme për vendin e Alaskës në Senatin amerikan që mbahet nga Ted Stevens, i cili mund të detyrohet të largohet nga Kongresi pasi është akuzuar se nuk ka njoftuar për më shumë se 250 000 dollarë të marra në formë dhurimi. Nëse Stevens humb vendin e tij, Palin mund të garojë për këtë post. Por ajo e ka lënë të hapur mundësinë për të kandiduar për postin e presidentit. Obama do të garojë për t'u rizgjedhur në vitin 2012.
"Epo, jeta është shumë e paparashikueshme. Kjo është e bukura e jetës. Nuk e di asnjëherë se çfarë të pret", theksoi Palin. "Dhe unë nuk e di se çfarë më pret. Nuk e di se çfarë mundësish do të kem", shtoi ajo.