E Diel, 1 Nëntor 2026

Surroi: Prishtina ka reaguar me vonesë ndaj planit të Ban Ki Mun

Publicisti dhe ish-kryetari i partisë ORA në Kosovë, Veton Surroi deklaroi se Prishtina ka qenë e vonuar me reagimin e saj për planin gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. "Janë refuzuar disa elemente të këtyre pikave. Një qëndrim i tillë ka ardhur shumë i vonuar. Është dashur që të refuzohet baza e këtyre bisedimeve, dhe baza e këtyre bisedimeve ka qenë hedhja e këtyre gjashtë pikave nga sekretari i përgjithshëm i OKB në qershor të këtij viti", thesoi Surroi në një intervistë për Zërin e Amerikës. I pyetur se a mund të bllokojë kjo situatë e re e krijuar shtrirjen e EULEX-it në tërë Kosovën, Veton Surroi vlerëson se " është me rëndësi të ceket jo vetëm faktori i shtrirjes fizike, por edhe i vlerës dhe i cilësisë së asaj shtrirjeje". Sipas tij, nëse EULEX-i do të shtrihej për të ndërtuar dy sisteme juridike në Kosovë, atëherë kjo nuk është shtrirje e duhur për Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›