E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, zbehet rreziku nga virusi AH1N1 në vend



Emanuela Sako

Rreziku nga gripi i derrit ka pësuar zbehje gjatë dy muajve të fundit. Aktualisht nuk është shënuar asnjë rast tjetër me virusin AH1N1, si dhe nuk ka asnjë rast në listën e personave të dyshuar. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, sqaroi për gazetën “Albania” se situata është nën kontroll dhe nuk ka raste të shfaqjes së virusit. Ai theksoi se pavarësisht kësaj, epidemiologët në të gjithë vendin duhet të jenë në gatishmëri të plotë, për të mos pasur ndryshim të situatës. ISHP-ja ka mbledhur deri më tani rreth 860 mostra në të gjithë vendin, të cilat kanë rezultuar negative, pas ekzaminimeve të kryera. Kështu, përveçse 34 rasteve të konfirmuara se janë prekur nga virusi pandemik, gjatë dy muajve të fundit duket se gjithçka është në favor të qytetarëve.
Mbledhja
Drejtori Alban Ylli, theksoi se ditët e fundit ka pasur një takim me të gjithë epidemiologët e vendit, ku është diskutuar për ruajtjen e masave dhe mosuljen e vigjilencës. Ai theksoi se pavarësisht se situata është përmirësuar, kjo nuk do të thotë që nuk mund të ketë shpërthime epidemike të shkaktuara nga virusi. Prandaj, epidemiologët kanë marrë direktiva të qarta për mbledhjen e sa më shumë mostrave të personave që dyshohen se janë prekur me virus dhe më pas, bëhet ekzaminimi në ISHP. Tashmë shumica e ekzaminimeve laboratorike kryhen në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pasi ky laborator është moderuar dhe është në gjendje për të nxjerrë rezultate të sakta. Megjithatë, një pjesë e mostrave që dyshohen për rezultatet e dala, nisen për në Bukuresht.
Rastet
Nga të dhënat e Buletinit Epidemiologjik Nr. 21, të publikuar nga ISHP-ja, situata mbetet e njëjtë, ku problemet respiratore janë ende në nivele të larta krahasuar me një vit më parë. Sipas Buletinit Epidemiologjik, fëmijët janë më të rrezikuarit nga problemet me rrugët e frymëmarrjes dhe ata duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Në të kundërt, ata do jenë më të rrezikuar nga prekja e gripit të zakonshëm si dhe nga prekja me virusin A H1N1. Ditë e fundit, në Spitalin Pediatrik të Tiranës, ka pasur një fluks të madh të pacientëve të vegjël që paraqiten me të tilla simptoma. Numri i tyre ka kaluar mbi 200 persona në ditë. Ndërkohë që ende nuk është kryer vaksinimi i tyre, pasi qytetarët këtë vit nuk u janë drejtuar farmacive për marrjen e vaksinës së gripit të zakonshëm. Ata e kanë shpjeguar me faktin se po presin ardhjen e vaksinës kundër gripit pandemik, duke pasur parasysh se ky virus është më i rrezikshëm.

Situata në shkolla, nxënësit më problematikët
Situata më problematike përsa u përket viruseve të ndryshme në qarkullim është në ambientet publike, sidomos në shkolla e çerdhe. Prekja nga virusi në këto ambientet duket se është e pashmangshme, pavarësisht se deri tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar me virusin AH1N1. Virusi gripal në këto ambiente nuk mund të shmanget vetëm nëpërmjet përhapjes së broshurave dhe njohjes së fëmijëve, prindërve apo personelit me këto simptoma. Por, lind nevoja e vendosjes së një personeli shëndetësor që të analizojë të gjitha rastet. Kjo është një nga nismat që ka ndërmarrë ISHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, por jo të gjitha shkollat dhe kopshtet janë të pajisura me personel shëndetësor. Në sistemin arsimor në rrethe, prania e bluzave të bardha është plotësisht e papranishme, përfshirë dhe mjaft të tjera në kryeqytet. Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike marrjen e disa masave për parandalimin e gripit të derrit në shkolla. Të vetmet masa ndaj virusit A/H1N1 në shkolla, të cilat do t’i paraprijnë parandalimit të përhapjes së tij, do të jenë raportimi i vazhdueshëm i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mungesat e tyre si dhe arsyet, pranë autoriteteve të shëndetësisë. Ndërkohë janë shpërndarë fletëpalosje në shkollat 9-vjeçare si për nxënësit ashtu dhe për prindërit. ISHP-ja ka monitorim të vazhdueshëm të situatës nga të gjitha strukturat, por duhet të jenë dhe vetë nxënësit, që duhet të ruajnë higjienën në ambientet ku mësojnë. Autoritetet e shëndetësisë kanë përmendur se këto janë disa masa të thjeshta, por që pretendohet të kenë efikasitet për shkak të rëndësisë që do t’u kushtohet dhe raportimeve të sakta nga drejtoritë e shkollave për situatën. Kjo është një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, për të parë mbarëvajtjen e procesit arsimor.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›