E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri akademik, studentët e Mjekësisë në kryeqytet e nisin me protesta



Jonida Tashi

Studentët e Mjekësisë në kryeqytet e kanë nisur për të dytin vit radhazi me protesta ditën e parë të mësimit për vitin e ri akademik. Sikurse vepruan edhe vitin e kaluar akademik, studentët e Fakultetit të Mjekësisë, pranë Universitetit të Tiranës nuk kanë pranuar të hyjnë në auditorë, për shkak të vendimit të dekanatit të këtij fakulteti, sipas të cilit, nëse studenti ka tre provime të mbartura nga viti i parë dhe i dytë, kalon në stazh. Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga studentët, të cilët janë të vendosur për të mos hyrë në mësim derisa të gjendet një zgjidhje për këtë problem. Studentët shprehen se nuk do të hyjnë në mësim edhe në ditët në vijim, pasi vendimi bie ndesh me rregulloren e Universitetit të Tiranës, nga i cili presin një zgjidhje.
Rregullorja
Megjithëse rregullorja e Universitetit të Tiranës, dokument nga i cili varet veprimtaria e fakulteteve në varësi të tij, i lejon studentët me tre provime të mbartura që të vijojnë vitin përkatës të studimeve, dekani i Mjekësisë, Alfred Priftanji ka vendosur rregulla të tjera jashtë saj. Konkretisht në nenin 31 të rregullores së Universitetit të Tiranës shkruhet: Studentët e vitit të fundit, që në përfundim të sesionit të vjeshtës rezultojnë me më shumë se tre detyrime të pashlyera, konsiderohen përsëritës për atë vit shkollor. Duke qenë të informuar për këtë pikë, studentët kërkojnë ndërhyrjen e drejtuesve të Universitetit të Tiranës, pasi kërkesa e tyre nuk është joligjore, por e bazuar në dokumente.
Precedenti
Vendimi i dekanatit të Mjekësisë është një praktikë e preferuar nga drejtuesit e këtij fakulteti. E njëjta situatë është paraqitur edhe një vit më parë në Fakultetin e Mjekësisë, ku megjithëse studentët kishin jo më shumë se tre provime të mbartura nga vitet e mëparshme, nuk u lejuan të kalon në vitin pasardhës, po sipas vendimit të Fakultetit. Duke qenë se ky ishte një penalizim i padrejtë, studentët e Mjekësisë bojkotuan për disa ditë rresht mësimin, në pritje të një zgjidhje nga drejtuesit e fakultetit, të cilët nuk e vunë aspak “ujin në zjarr” për këtë çështje. Kjo bëri që studentët të vërshonin ditë pas dite drejt Universitetit të Tiranës, derisa realizuan një takim të hapur me rektorin Dhori Kule. Ky i fundit, pasi u njoh me kërkesën e studentëve, urdhëroi dekanin e Mjekësisë që t’i pranonte ata në auditor.

13 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›