E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina mbledh teatrot nga Evropa

 

Dy ditë më parë nisi në Prishtinë edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, i cili organizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Nata e parë u hap me shfaqjen “Rags of Memory” të teatrit “Instabili Vaganti”, nga Italia. Gjatë këtyre ditëve Teatri Kombëtar pret shfaqje të ardhura nga vende të ndryshme të botës. Tema e këtij edicioni është “Këndimi, muzika dhe rituali – identifikimi dhe pikëtakimi i teatrit me vetveten”. Në këtë kontekst, Festivali është konceptuar si një paraqitje e shfaqjeve teatrore, të cilat, para së gjithash, janë krijuar duke u bazuar në artin e këndimit dhe, përgjithësisht, në elementet dhe në format e ndryshme muzikore, të cilat regjisorëve dhe krijuesve të teatrit u kanë shërbyer si lajtmotiv dhe njëkohësisht, si ngacmim artistik për krijimin e imazheve skenike dhe të veprimit skenik. Përpos shfaqjeve teatrale, festivali përbëhet edhe nga ligjëratat e ndryshme mbi teatrin, shfaqja e filmave dokumentarë, seminare me artistë si dhe performancat e ansambleve polifonike dhe folklorike. Të pranishëm do të jenë grupet teatrale nga vende të ndryshme të botës si Italia, Belgjika, Sllovenia, Austria, Ukraina, Shqipëria dhe Maqedonia. Ndërsa me një shfaqje do të marrë pjesë edhe vet nikoqiri i festivalit, Teatri Kombëtar, që do të japë shfaqjen “Çifti Martin” nga regjisori Bekim Lumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›