E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, kapen 4 doganierë

 

Etleva Delia

Katër doganierë u arrestuan ndërsa tre të tjerë hetohen në gjendje të lirë, me akuzat për korrupsion pasi kanë zhdoganuar dhe targuar të paktën 90 makina, me dokumente të falsifikuara, duke përfituar rreth 350 mijë euro. Hetimi i filluar një vit më parë u finalizua dje me zbulimin e aferave korruptive të doganierëve të Tiranës dhe të Shkodrës, të cilët ranë në prangat e agjentëve të Antikrimit Ekonomik. Pak ditë më parë, Zyra Task-Force Antikorrupsion në Prokurori, në kuadër të provave të mbledhura gjatë hetimit, kërkoi në gjykatë masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Gjykata caktoi katër masa sigurie "arrest me burg" dhe tre të tjera me "detyrim paraqitje". Operacioni i Antikrimit Ekonomik të Tiranës, dhe njësisë Task-Forcë, i koduar "Porosia", ka vendosur dje në pranga Engjëll Dylberin dhe Xhevdet Malin, të dy agjentë doganorë në Doganën e Tiranës. Më pas janë arrestuar edhe Ylli Sharri, komisioner i lejeve të drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor të Tiranës dhe inxhinierin Olgert Isa, pranues dokumentesh në këtë drejtori. Më parë gjykata pranoi arrestimin e tyre pasi është njohur me provat e akuzës dhe përgjimet që u janë bërë këtyre personave. Një masë më e lehtë është vendosur nga gjykata për doganieren e Doganës së Shkodrës, Frida Guxia dhe dy doganierë të Doganës së Tiranës, Sofokli Qose dhe Ilmi Kantia. Ata do të hetohen në masën "detyrim paraqitje" ndërsa janë të akuzuar në dosjen e katër zyrtarëve të parë për "shpërdorim detyre", "korrupsion" dhe falsifikim dokumentesh. Sipas policisë, shtatë zyrtarët kanë shpërdoruar detyrën, duke kryer zhdoganimin e automjeteve që hynin në Shqipëri nga vende të ndryshme të Evropës. Zhdoganimi është bërë me dokumente të falsifikuara çka është pasuar edhe me pajisjen e mjeteve me targa kundrejt shumave të ryshfetit. Burimet nga policia, kanë dyshime për një numër të madh makinash që janë zhdoganuar në mënyrë abuzive nga të arrestuarit kundrejt shumave të majme të ryshfetit.
Korrupsioni me zhdoganimin
Hetimet 1-vjeçare të policisë dhe prokurorisë, kanë zbuluar se një person që kërkonte të zhdoganonte automjetin, qoftë ai edhe i vjedhur, duhej të paguante ryshfet shumën prej 4 mijë apo 5 mijë euro, sipas llojit të makinës. Pasi paguhej ryshfeti, me falsifikimin e dokumenteve dhe targimin e mjetit merreshin grupi i doganierëve, të cilët më pas i ndanin paratë me njëri-tjetrin dhe zyrtarët e Drejtorisë së Transportit. Sipas policisë, deri tani janë zhdoganuar në këtë formë të paktën 90 automjete të ndryshme. Personat e implikuar në këtë skandal dyshohet se kanë arritur të përfitojnë rreth 350 mijë euro gjatë aktivitetit të tyre kriminal. Hetuesit thonë se këto shifra mund të ndryshojnë nga momenti në moment, pasi verifikimet për raste të tjera vazhdojnë në Doganën e Tiranës dhe të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›