E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina reagon: Hetimet kanë prapavijë politike

 

Prishtina zyrtare i konsideron hetimet e Këshillit të Evr-opës mbi akuzat serbe për trafik transplantesh, një prapavijë politike. Ministrja kosovare e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi tha se hetimet e Tribunalit të Hagës kanë dëshmuar se akuzat e ngritura nga Beogradi janë të pavërteta. Gjatë një intervistë për BBC-në, ajo përjashtoi mundësinë që pjesëtarët e ish-UÇK-së të jenë marrë me trafikim organesh të serbëve. Reagimi i ministres së Drejtësisë vjen në kohën kur i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty po viziton rajonin në kuadër të hetimeve për akuzat e ngritura nga Beogradi dhe të publikuara në librin e ish kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. Hetuesi do të vizitojë edhe Shqipërinë për të biseduar me zyrtarët shqiptarë mbi përfshirjen e vendit në këtë histori. Sipas Del Pontes, Shqipëria ka bashkëpunuar pasi transplantet janë kryer në një shtëpi të verdhë në Burrel dhe më pas janë transportuar me helikopter në vendet Perëndimore. Shqipëria i mohuar këto aludime. Ndërsa ministrja kosovare tha se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës për krime lufte në Kosovë përbën precedent në praktikat e kësaj organizate. Ndërkohë  shoqëria civile në Kosovë kërkon angazhim më të madh të institucioneve për t’u përballur me kundër-argumente ndaj akuzave të ngritura. “Nisma e Këshillit të Evropës për hetimet e kërkuar nga Serbia ka konotacione politike dhe është e rrezikshme për palët”, tha për “Evropa e Lirë” avokati Hazër Susuri, ekspert hetimesh për krimet e luftës në Kosovë. Sipas tij, nuk ka asnjë fakt që mund të arsyetojë hetimin e iniciuar nga KE, por këtë nismë e cilëson si një formë tjetër të manipulimeve të Serbisë për të bërë presion në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë ku e ka iniciuar edhe çështjen e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë vlerësoi se qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës nuk kanë marrë asnjë veprim për ta parandaluar gënjeshtrat. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, tha se misioni hetues i KE është i turpshëm, i njëanshëm dhe politikisht i motivuar, pasi kriter për hetime po përdoret përkatësia etnike dhe viktimat nuk po trajtohen si viktima, por si serbë, romë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›