E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina reagon për deklaratën ruse

Autori i Lajmit: red.
Prishtina reagoi ndaj deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme Ruse, e cila mirëpret themelimin e kuvendit paralel serb. Përfaqësues të partive politike në Kosovë konsiderojnë se Rusia po përzihet në punët e brendshme të Kosovës.
Subjektet politike kosovare e cilësojnë përzierje në punët e brendshme të Kosovës deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, e cila mirëpret themelimin e Parlamentit serb në veri të Mitrovicës.
Përfaqësues të partive politike thonë se kjo deklaratë pengon proceset demokratike në Kosovë. Sabri Kiçmari, nga Partia Demokratike e Kosovës, mendon se një deklaratë e tillë paraqet një nga shumë gabimet që Rusia ka bërë karshi Kosovës.
“Është një qëndrim i pakuptueshëm i diplomacisë ruse në vazhdën e një numri qëndrimesh që ajo ka mbajtur në Këshillin e Sigurimit edhe më herët, edhe gjatë luftës në Kosovë. Nga këndvështrimi i PDK-së, mund të kuptohet si përzierje në punët e brendshme të Kosovës, ose edhe si një tentim për të forcuar mekanizma parapolitikë joinstitucionalë, që tentojnë ta destabilizojnë vendin tonë”, tha Kiçmari.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se krijimi i parlamentit serb është një përgjigje logjike ndaj, soas saj, “të shpalljes së njëanshme dhe ilegale të pavarësisë së Kosovës”.

Zoti Kiçmari thotë se deklaratat e tilla janë si një tentim injektimi për t i forcuar organet joinstitucionale dhe jolegjitime në Kosovë.
Në anën tjetër, Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës, nga AAK-ja, thotë se deklarata të tilla që dalin nga Qeveria ruse, shkaktojnë konflikt në rajon e jo zgjidhje.

“Rusia ka bërë edhe një hap më tej në pengimin e proceseve demokratike në Kosovë dhe në rajon. Deri tani diplomacia ruse është munduar dhe deri diku ka pasur sukses që të pengojë procesin e krijimit të stabilitetit, të paqes, në shtetin e Kosovës dhe në rajon”.

“Tani po bën edhe një hap më shumë drejt pengimit të stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe në rajon. Kjo, sepse me krijimin e të ashtuquajturit Kuvend serb, vetëm i orienton proceset nga konfliktet dhe nuk ofron zgjidhje”, tha Kosumi.

“Për më tepër është një inerci e mendimit për sërbët serbët se mund ta ndajnë Kosovën. Ky iluzion nuk është i ri, është i vjetër, me vite të tëra i kultivuar në Beograd dhe i përkrahur së voni edhe nga diplomacia ruse. Megjithatë, është një iluzion. Kosova do të jetë në këta kufij dhe duhet të jetë në këta kufij. Krejt kjo është një energji e orientuar keq e politikës serbe”, tha Kosumi.

Edhe Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se vetë krijimi i një të ashtuquajturi Kuvend dhe një përkrahje e tij nga Qeveria e Rusisë, do të gjenerojnë probleme.

“Absolutisht është i paqëndrueshëm edhe arsyetimi, edhe akti, edhe vetë deklarata. Asambleja e komunave të serbëve të Kosovës si organ jolegjitim, strukturat paralele, nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe integrimit të serbëve të Kosovës në institucione”.

“Do të gjenerojë probleme përsa i përket integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, të integrimit të rajonit të Ballkanit në politikë paqësore”, tha Haziri.

Ai tha se përveç pengesave, të cilat mund të ndodhin rreth integrimit politik dhe paqësor në rajon, një përkrahje e tillë nga Rusia për serbët e Kosovës mund t i dëmtojë shumë vetë serbët, që jetojnë në jug të lumit Ibër.

“Do të jetë pengesë serioze, në veçanti për tri komunat me shumicë serbe në këtë pjesë të Kosovës. Por, do t i dëmtojë seriozisht edhe serbët që jetojnë brenda territorit të Kosovës, në pjesën qendrore dhe në atë juglindore. Kjo deklaratë si akt do të vazhdojë t i përçajë serbët e Kosovës dhe do të jetë pengesë në integrim”, tha Haziri.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse thuhet se krijimi i Kuvendit të serbëve pasqyron vullnetin mbizotërues në mesin e serbëve, për të kundërshtuar integrimin e detyruar në, sipas tyre – “krijesën e paligjshme të shqiptarëve të Kosovës”.

Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë cilësuar si të paligjshëm Kuvendin e serbëve në veri të Kosovës.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›