E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë vuajtjesh, të lexosh në bibliotekë

Autori i Lajmit: red.
Libri, një botë e re që çdo kush do të dojë të eksplorojë. Flitet gjithandej që lexuesi shqiptar e ka humbur ndjeshmërinë, nuk preferon më të lexojë e aq më tepër, të frekuentojë sallat e bibliotekave. Çmimet e larta të tregut dhe kushtet jo të barabarta ekonomike i detyrojnë lexuesit të largohen, ndoshta, pa dëshirën e tyre nga libri. Kritikat e gjata mbi këtë çështje bien mbi lexuesin, mungesën e dëshirës ndaj leximit dhe hera –herës edhe mospëlqimit të autorëve shqiptarë apo përkthimeve të dobëta të shtëpive botuese. Biblioteka Kombëtare, e cila është edhe institucioni më i rëndësihëm i librit, duket se është më e favorizuar. Ajo numëron në fondin e saj rreth 1 milon vëllime (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës evropiane.
Ky është institucion i parë shtetëror, publik e laik që mban për datë të themelimit të tij 10 dhjetorin 1920. Askush nuk është kujtuar të shikojë kushtet që ofrojnë bibliotekat në kryeqytet, për të mos folur për ato të rretheve, që ekzistojnë vetëm si emër. Një nga problemet kryesore, që ndeshet sot në këto biblioteka, është mungesa e fondeve për librin, pasi zëri i punonjësve për libra, ka rënë në “vesh të shurdhër” në minibashkitë ku ato janë të varura. Nëse do të kishte fonde të mjaftueshme për bibliotekat, sallat do të ishin më komode, qoftë në ditët e nxehta të verës, por edhe në ditët e ftohta të dimrit. Për sa u përket librave, bibliotekat jo vetëm që nuk kanë mundësi të sigurojnë të gjitha botimet e reja, por edhe ato që kanë ua dhurojnë ose mjaftohen me 1 deri në 5 kopje në rastet më fatlume. Kryeqyteti numëron gjithsej tetë biblioteka, duke përfshirë këtu edhe atë kombëtare, të gjitha në kushte të mjerueshme, ku edhe punonjësit e tyre shtyjnë kohën e detyrueshme të punës dhe largohen me monotoninë e të kthyerit ditën e nesërme. Kështu, pjesa më madhe e këtyre bibliotekave është e amortizuar dhe jashtë funksionimit, por ka dhe biblioteka të mbyllura si biblioteka nr.8, e cila aktualisht ka vite që ambientet e saj janë të zëna nga familjarët. Bibliotekat tashmë të “harruara” nga minibashkitë ofrojnë vetëm ambiente të papërshtatshme për lexuesit. Librat konsiderohen miq të të gjithëve, sepse ata janë pjesë e kulturës së çdo njeriu, por pamja dhe kushtet që kanë bibliotekat, ka bërë që lexuesi të mos i frekuentojë si dikur. Të gjendur në këtë sezon veror, një pjesë e madhe e lexuesve janë të detyruar që t i kalojnë orët e paradites në bibliotekat e kryeqytetit shqiptar. Por në shumë prej tyre mungojnë sallat e leximit, për të mos folur më pas për kushtet e tjera, që pothuajse nuk ekzistojnë. Lexuesit në bibliotekat e kryeqytetit në të shumtën e rasteve janë të detyruar, që të lexojnë në ambiente që nuk ofrojnë aspak kushtet e një biblioteke, ku mbizotërojnë temperaturat e larta dhe mungesa e sallave të leximit. Tashmë vendi ku ndodhet kultura e librit, bibliotekat, në të shumtët e rasteve janë të harruara nga minibashkitë, të cilat deri tani nuk i kanë kushtuar fare vëmendje funksionit të tyre. Ndërkaq që shumë prej tyre shprehen se ka ardhur koha që Tirana të ketë një bibliotekë publike, pasi është nga të vetmet kryeqytete, që nuk ka një bibliotekë të tillë.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›