E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, 400 milionë dollarë Kosovës

Autori i Lajmit: red.
SHBA do t i japë Kosovës 400 milionë dollarë në konferencën e donatorëve, që mbahet në Bruksel, ku pritet të dhurohen mbi një miliardë dollarë për Kosovën, njoftuan zyrtarët amerikanë. Nënsekretari amerikan për çështje të Evropës, Daniel Fried, ka hedhur poshtë pohimet për gjoja një lloj “gjysëmpavarësie të Kosovës”, për shkak të mosnjohjes dhe bllokadës së Rusisë, duke shtuar se "Kosova është plotësisht një shtet i pavarur, pa marrë parasysh a thuhet kjo në një rezolutë të KS, apo jo".
Ndihma amerikane, të cilën Kongresi deri tani e ka miratuar në rreth 70 për qind, do të orientohet në programet për krijimin e vendeve të reja të punës, në forcimin e institucioneve të gjyqësisë dhe policisë si dhe në shlyerjen e borxheve të jashtme që ka Kosova, si pjesë e trashëguar.

Ndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës, Daniel Fried, i cili ka njoftuar për këtë ndihmë, ka thënë se SHBA janë të kënaqur më progresin që ka shënuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë e këtej.
Ai ka nënvizuar se suksesi i deritashëm dhe situata e qetë ka përgënjeshtruar kritikët e pavarësisë, të cilët kishin parashikuar dhunë ndëretnike dhe valë refugjatësh.
Në takimin që ka mbajtur me gazetarë në Departamentin e Shtetit, ndihmëssekretari Fried ka hedhur poshtë pohimet për gjoja një lloj “gjysëmpavarësie të Kosovës”, për shkak të mosnjohjes dhe bllokadës që po i bën Rusia në Këshillin e Sigurimit.
"Kosova është plotësisht një shtet i pavarur, pa marrë parasysh e a thuhet kjo me një rezolutë të Kombeve të Bashkuara apo jo", ka thënë Fried, duke shtuar se Kosova është njohur nga dy të tretat e Evropës, nga Japonia dhe nga Australia.
Fried edhe njëherë ka hedhur poshtë çfarëdo “Kuvendi të serbëve të Kosovës”, duke thënë se një organizëm i tillë nuk ka asnjë status ligjor, ndërkohë që ka akuzuar Serbinë për dërgimin e emisarëve të saj në Kosovë.
"Aty vijnë serbët dhe është vështirë të konstatohet nëse ata janë nacionalistë privatë, janë gjysmë të lidhur me qeverinë, apo edhe zyrtarë të saj. Duket se aty janë të gjithë nga pak, prandaj Serbia nuk duhet t i dërgojë apo ta mbështesë gangsterizmin. Shpresojmë se qeveria e re do të veprojë në mënyrë më të përgjegjshme", tha ndihmëssekretari Fried.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›