Prishtina rikthehet në krye

Skuadra e Afrim Tovërlanit ka luajtur dukshëm më mirë sesa prizrenasit, andaj me meritë i ka fituar tri pikë të reja, në luftën e saj për titull të kampionit.
Bardhekaltrit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 5-t të takimit nëpërmjet Florim Bërbatovcit. Ndërsa, në minutën e 38-të vendasit e dyfishuan epërsinë me golin që e realizoi Liridon Latifi. Kurse, në minutën e 83-të prishtinasit e përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Besnik Krasniqi dhe kështu ndeshje përfundoi me rezultat 3:0.
Kjo fitore e rikthen Prishtinën në krye të tabelës të paktën deri të enjten, kur lideri i deritanishëm Trepça ‘89 luan ndaj Hajvalisë. Ndërsa, kjo humbje ia ka përkeqësuar edhe më tepër ekipit bardh e zi.
Trepça – Vëllaznimi 1:0
Trepça iu është rikthyer fitoreve e njëkohësisht shpresës për ta ndjekur titullin e kampionit, pasi në Mitrovicë ia ka dal ta mposht Vëllaznimin me rezultat minimal, 1:0. Hero i ‘Xehetarëve’ ishte Emin Baliqi, i cili në minutën e 65-të e shënoi golin e vetëm në takim, me të cilin e përforcoi Trepçën me tri pikë të reja. Ndërsa, Vëllaznimin kjo humbje e ka thelluar në rrezik edhe më të madh për ta humb statusin e anëtarit të elitës.
Ll. Kosova – Drenica 0:0
Fitoret për Llamkos Kosovën e Drenicën në një farë mënyre janë bërë thuajse të paarritshme. Të dyja këto ekipe do të vazhdojnë të qëndrojnë në dy pozitat e fundit të renditjes tabelore me pikë të barabarta, pasi përballja mes tyre ka përfunduar pa gola. Ky rezultat nuk ishte i mirëseardhur për asnjërën palë, sidomos për vushtrriasit, të cilët prisnin fitore, meqenëse luanin para tifozëve të tyre.
Ferronikeli – Drita 2:0
Ferronikeli i ka fituar tri pikë të reja dhe shumë të rëndësishme, pasi ia ka dal ta befasoj Dritën, duke e mposhtur me rezultat 2:0. Fitoren ekipit të Drenasit ia kanë sjell Argjend Bardhi dhe Zeqir Hasi, të cilët shënuan në minutën e 44-të, respektivisht 83-të. Me këtë fitore ekipi i Ramiz Krasniqit e ka përforcuar pozicionin e saj në mes të tabelës, derisa Drita nuk e shfrytëzoi rastin t’i ofrohet Prishtinës e Trepçës ’89.
Hysi – Besa 1:1
Besa ka vazhduar me paraqitje të mira, ndonëse deri para tri javësh ishte në krizë të madhe të rezultateve. Pejanët së ia kanë dal ta fitojnë një pikë shumë të rëndësishme si mysafirë të Hysit, pasi përballja mes tyre ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1. Golin për vendasit e ka shënuar Hajdini në minutën e 13-të, derisa humbjen Besës ia ka shmangur Salihu, që e ka shënuar golin e barazimit në minutën e 69-të.