E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë, firmoset marrëveshja për Merdarë-Morinë

Ky është një moment historik për Kosovën. Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas firmosjes së marrëveshjes për ndërtimin e autostradës Merdare-Morinë, nga Ministri i Transportit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe përfaqësuesit e kompanisë amerikano-turke, “Bechtel&Enka”, duke shtuar se ky është projekti më i madh në historinë e shtetit të ri.

“Ky është një moment historik për shtetin tonë. Po realizohet ëndrra e qytetarëve të Kosovës. është projekti më i madh në historinë e deritanishme të vendit tonë. Ky projekt, i ndërtimit të autostradës Vërrmicë-Prizren-Prishtinë-Merdar i ndihmon qytetarët, duke iu krijuar atyre mundësi të reja të lëvizjes së lirë, e integron shtetin e Kosovës fuqishëm në rajon", tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

“Nisim sot punën për ndërtimin e korridorit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Evropës. Kjo autostradë në zemër të Kosovës bëhet një udhëkryq i rëndësishëm për gjithë rajonin. Ne po ndërtojmë korridorin ku kryqëzohet e sotmja jonë me të ardhmen më të mirë", u shpreh Fatmir Limaj, Ministër i Transportit të Kosovës.

“Ky bashkëpunim në mes të kompanisë amerikane Bechtel dhe asaj turke Enka jo vetëm që është projekti më i madh në historinë e Kosovës, por është edhe projekti më i rëndësishëm i saj”, tha Christopher Dell, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës për realizimin e projekteve të ngjashme, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin e Kosovës”, u shpreh Mike Adams, President i Kompanisë “ Bechtel&Enka”. Fillimisht punimet për ndërtimin e autostradës, që do të kushtojë rreth 700 milion euro, do të fillojnë nga Vërrmica deri tek vendi i quajtur “Qafa e Dules”, segmet i cili do të financohet nga buxheti i Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e parave do të sigurohet nga donatorët dhe kreditë e favorshme.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›