E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi elektronik në lokalet 2011, Pollo: Nismë e realizueshme

Votimi elektronik nuk është i pamundur të përdoret në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ministri i shtetit Genc Pollo thote se struktura mund të realizohet pasi një hap është hedhur që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 ku procesi i numërimit mund të kontrollohej përmes kamerave nga KQZ. Ajo që nevojitet është vendosja e makinës elektronike në qendrat e votimit.

”Infrastruktura ekziston dhe nuk është shumë e kushtueshme qe në cdo qendër votimi të vendosësh aparate ku me butona mund të votosh për PD, për PS, për partitë të tjera dhe ky rezultat transmetohet live, përmes protokolleve të sigurisë në Komisionin Qëndror Zgjedhor, i cili gjithashtu shumë shpejt mund të japë rezultatin final për një kohe shumë të shkurtër. Kjo teknikisht është e realizueshme sepse ne kemi përvojën e qershorit të vitit 2009. Nuk do të ketë më fletë votimi, nuk do të ketë më kuti votimi dhe ajo zgjedhje që bën zgjedhësi me gisht, përmes serverave dhe linjave të transmetimit shkon në serverin e madh të Komisionit Qëndror, rregjistrohet dhe mund te shpallet në mënyrë simultane, në mënyrë të njëkohshme” thotë Pollo.

Por ama mundet që qytetarët të votojnë jo duke shkuar në qendrat e votimit, por nga shtëpia apo përmes internetit? Ky hap sipas zotit Pollo duhet të hidhet në një moment tjetër. ”Ndoshta ky është një hap edhe më tutje. Duhet një studim teknik për të parë se sa mund të bëhet nga shtepia” thotë Pollo.

Sipas ministrit të shtetit ajo që nevojitet separi për të mundësuar këtë mënyrë votimi është gjetja e një konsensusi politik.

Votimi elektronik është një ide e hedhur nga kryeministri Sali Berisha disa ditë më parë. Kryetari socialist Edi Rama nuk e kundërshtoi këtë ide, por sipas tij në kushtet aktuale që ndodhet vendi ajo bëhet e parealizueshme.

Taulanta Boja < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›