Prishtinë, godinë e re e shkollës së muzikës

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa sot ka inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e godinës së re të shkollës së muzikës në kryeqytet, “Prenk Jakova”.
“Me ndërtimin e objekteve shkollore kemi arritur të stabilizojmë hapësirat shkollore në gjithë territorin e komunës, si dhe kemi përshtatur ndërtimin e hapësirave të reja me fluksin e nxënësve, duke krijuar kushte më të mira të punës”, tha Mustafa.
Kreu i Prishtinës theksoi se lokacioni ku po ndërtohet godina e re dhe ku ka qenë edhe deri tashti shkolla e muzikës “Prenk Jakova” i është përgjigjur më së miri realizimit të projektit për ndërtimin e kësaj shkolle, ndërkohë që Komuna e Prishtinës pati shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të shkollës në një lokacion tjetër.
Objekti i shkollës do të ketë një hapësirë prej 3 mijë e 275 metrash katrorë, kurse afati kohor për ndërtimin e saj është 150 ditë. Për ndërtimin e godinës së re të kësaj shkolle do të shpenzohen 975 mijë euro./Indeksonline/