E Shtunë, 31 Tetor 2026

Priten pyjet, mbillen kanabis

SHKODËR/ Shpyllëzimi ka arritur edhe në lartësitë e mëdha mbi 1750 metra, ku tani duket tek-tuk ndonjë pemë


Sipërfaqe të ndryshme priten duke u mbjellë me lëndë narkotike pasi quhet tokë e shtetit dhe banorët nuk dënohen


SHKODËR - Pyjet në qarkun e Shkodrës janë dëmtuar së tepërmi duke sjellë një masakër mjedisore. Prerja pa kriter e tyre, me dhe pa leje, shpyllëzimi i pjesëve të vçanta për të mbjellë kanabis sativa, ka sjellë dëmtim të madh të sipërfaqeve pyjore që janë në pronësi të shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore.


Mali i Cukalit në Shkodër, Kodrat e Rrencit, Mali i Taraboshit etj, apo sipërfaqe të tëra me pyje në rrethin e Pukës, janë dëmtuar së tepërmi.


Banorët e këtyre zonave shprehen se dëmtimi i pyjeve ka vite të tëra që ndodh, menjëherë pas ndryshimit të sistemeve, por ka së paku 10 vjet që intensiteti i prerjes së pyjeve ka ardhur duke u rritur dhe faqet e maleve janë zhveshur nga pemët.


Në malin e Cukalit, prerja e pyjeve ka shkuar deri në lartësi të mëdha, 1750 m, ku në sipërfaqe të tëra, dikur të mbushura me drurë, duket vetëm ndonjë pemë dhe mali përdoret vetëm për kullotë. Prerja e paligjshme e pyjeve ka qenë dhe ajo që i ka dëmtuar më shumë ato, por sipas banorëve të zonave rreth malit të Cukalit, edhe kur jepen leje për shfrytëzim, ajo përdoret jo për aq sipërfaqe sa është dhënë, por për më shumë.


Terreni i vështirë dhe mungesa totale e infrastrukturës rrugore, e bën të vështirë kontrollin e prerjes së pyjeve nga strukturat përkatëse, ndërsa kamionë me drurë të prerë, kryesisht pa targa, lëvizin nga Cukali në drejtim të Shkodrës. Banorët shprehen se pyjet e prera nuk janë rimbjellë, por zona po shkon drejt shkatërrimit.


Dëshmitë


Ndoc Thanxa, banor i zonës, shprehet se duhet që pushteti qendror të merret seriozisht dhe të vërë dorë për të penguar shkatërrimin e pyjeve, pasi pushteti vendor e ka të pamundur pasi nuk ka mjete e mundësi për të frenuar këtë shkatërrim.


Prerjet e pyjeve së pari kanë filluar të bëhen nga banorët që i shihnin ato si burim të vetëm jetese, dhe më pas persona të ndryshëm e kthyen këtë aktivitet në biznes, ku punën e krahut, pra, prerjen e pyjeve e bëjnë banorët që jetojnë akoma në këto zona, kundrejt një pagese ditore.


Këtë e pohojnë vetë banorët, por dhe përfaqësues të tyre në pushtetin vendor. Të njëjtën situatë kanë pësuar dhe pyjet në zonën e Bogës në Malësi të Madhe, si dhe ato të Pukës, rreth ky i njohur për sipërfaqet e mëdha pyjore.


Gjokë Gjoka, një banor i zonës, tregon se vetëm në periudhën e dimrit nuk punohet, pasi dëbora nuk e lejon prerjen e pyjeve, ndërsa në stinët e tjera ato priten në vazhdimësi dhe zhurmat e motorsekave dëgjohen deri poshtë.


Një banor i fshatit Bogë në Malësi të Madhe tregon se ata që presin drurë në mënyrë të paligjshme në bjeshkët e kësaj zone, në lartësi të mëdha, kanë arritur sa të ndërtojnë dhe mjete provizore për rrëshqitjen e drurëve të prerë nga lartësitë e mëdha ku nuk shkon dot makina, deri poshtë ku ato mund të ngarkohen.


Ndërsa një banor i fshatit Kimëz, në rrethin e Pukës, tregon se në masivin pyjor të Munellës, prerjet e paligjshme kanë shkatërruar sipërfaqe të tëra.


Shkaqet


Pyjet e qarkut të Shkodrës dëmtohen jo vetëm nga prerjet e paligjshme, por dhe nga gjuetia pa kriter dhe e palejuar që e ka dëmtuar së tepërmi faunën e tyre nga zjarret shpeshherë të qëllimshme apo nga mbjellja e kanabis sativës.


Zjarret e qëllimshme bëhen për të fituar kullota në pyje në lartësi jo të mëdha siç është mali i Taraboshit në Shkodër, ndërsa shpyllëzimi i sipërfaqeve për t'u mbjellë me bimë narkotike, ndodh në zonat e thella të Temalit, Shllakut etj, kryesisht në malin e Cukalit.


Duke qenë tokë pa pronar të ligjshëm, pylli pritet në parcela të vçanta në mes të tij dhe aty mbillet kanabis. Këtë e pohojnë drejtues të policisë në Shkodër, që prej vitesh evidentojnë e asgjësojnë sasi të konsiderueshme bimësh narkotike dhe këto janë të mbjella në toka të shpyllëzuara pa pronar të ligjshëm.


Sipas policisë, ndodh shpesh që ata shkojnë dhe asgjësojnë bimë narkotike në një pjesë toke pyjore për të cilën kanë informacion, por rrugës gjejnë dhe parcela të tjera të mbjella, të shkëputura nga njëra - tjetra. Kjo bëhet për t'i shpëtuar ndjekjes penale në ato raste kur bima narkotike identifikohet e asgjësohet dhe për ta fshehur atë mes pemësh të larta rreth e rrotull.


Përvç pjesës së shpyllëzohet, duke prerë drurët, sipas specialistëve të pyjeve, mbjellja e një tjetër bime pranë tyre i dëmton, pasi u merr lëndën ushqyese. Të gjithë këta faktorë kanë bërë që pyjet e shumta në qarkun e Shkodrës të shkojnë drejt eliminimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›