Apolonia turistike në shifra
E vendosur vetëm 12 km larg qytetit të Fierit, Apolonia është një destinacion i preferuar për turistët shqiptarë dhe ata të huaj. Që nga viti 2006 qyteti antik i Apolonisë dhe zona përreth tij janë shpallur Park Arkeologjik Kombëtar.
Synimi ishte zbatimi i programit të qeverisë shqiptare për nxitjen e turizmit kulturor. Statistikat e numrit të vizitorëve gjithnjë në rritje si dhe përsosja e nivelit të shërbimeve dhe infrastrukturës turistike në terren tregojnë se në rastin e Apolonisë është bërë zgjedhja e duhur.
Drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parku Arkeologjik Apolonia, Marin Haxhimihali thotë se në njëfarë mënyre, ky qytet antik "është edhe një fushë prove e zbatueshmërisë së strategjisë së turizmit kulturor në vend. Shifrat e vitit të kaluar tregojnë se shndërrimi i zonës antike të Apolonisë në Park Arkeologjik, ka qenë një veprim i suksesshëm."
Gjatë vitit 2009 Apolonia është vizituar nga 32 000 turistë, çka përbën numrin më të lartë të vizitorëve në vitet e fundit.
Për sezonin turistik 2010 Zyra e Administrimit të Parkut Arkeologjik ka bërë përpjekje për zgjerimin e zonës së vizitueshme në Park. Shifrat e 6 mujorit të parë konfirmojnë tendencën e rritjes së numrit të vizitorëve.
Haxhimihali shpjegon se për periudhën janar-qershor 2010, ka 18% më tepër turistë të huaj në krahasim me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, "kjo falë mbështetjes financiare të MTKRS që ka mundësuar përsosjen e rrjetit të sinjalistikës dhe të shtigjeve turistike duke bërë të mundur dyfishimin e zonës së vizitueshme brenda Parkut Arkeologjik.
Zyra ka zgjeruar zonën e vizitueshme duke bërë lidhjen me anë të shtigjeve turistike të monumenteve të izoluara si teatrin apo Nimfeu me qendrën monumentale. Po ashtu", vijon më tej Haxhimihali, "është zhvilluar një pastrim i përgjithshëm i territorit me mjete të specializuara duke evakuuar mbeturinat e grumbulluara prej vitesh.
Kjo e shndërroi Apoloninë në një oaz rregulli dhe pastërtie për të gjithë jugun duke zgjidhur përfundimisht problemin e depozitimit të mbeturinave - "thembra e Akilit" për shumë zona të vizitueshme në Shqipëri."
Sipas statistikave zyrtare, gjatë korrikut 2010 Apoloninë e kanë vizituar mbi 9000 turistë të huaj. "Është një numër rekord vizitorësh", shprehet Haxhimihali, "po të kihet parasysh se muaji korrik nuk është një periudhe e preferuar për turizmin kulturor pasi turistët në këtë muaj zakonisht janë të prirur drejt plazheve dhe detit."
Drejtori i Parku i quan këto rezultate të zgjatjes së orareve të pritjes së turistëve.
Parku Arkeologjik qëndron i hapur çdo ditë praktikisht deri në rënien e muzgut.
Ndërsa nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është bërë i mundur përforcimi i stafit me një person që po shërben si guidë/ciceron për gjithë sezonin turistik. Ndërkohë rritja numrit të turistëve ka ndikuar edhe në kontakte të përhershme me agjencitë turistike për të mundësuar pritjen e grupeve në çdo kohë, madje edhe jashtë orareve normale të hapjes. Gjithashtu, këtë vit janë futur për herë të parë vizitat didaktike dhe itineraret VIP.