Pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto vizitë zyrtare në Brazil
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u nis dje për një vizitë zyrtare në Brazil, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Federative të Brazilit, Antonio de Aguiar Patriota, bëri të ditur zyra për shtyp e MPJ-së.
Gjatë qëndrimit në Brazil, Haxhinasto përveç bisedimeve me homologun e tij brazilian, do të zhvillojë takime me Zëvendëspresidentin e Republikës, me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Senat, etj.
Në fokus të bisedimeve do të jetë intensifikimi i dialogut politik, nënshkrimi i marrëveshjeve dhe plotësimi i kuadrit institucional për promovimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.
Gjatë vizitës së ministrit Haxhinasto do të nënshkruhen disa marrëveshje si; Marrëveshja për Heqjen e Vizave për shtetasit e të dy vendeve; Marrëveshja për Bashkëpunimin Ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federative të Brazilit; Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet dy Ministrive të Punëve të Jashtme për zhvillimin e konsultimeve politike për çështje me interes të ndërsjellë; si edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike të Ministrive të Punëve të Jashtme të Shqipërisë e Brazilit.
Gjatë kësaj vizite, Edmond Haxhinasto do të jetë i shoqëruar edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë, si dhe do të marrë pjesë në Forumin e biznesit, organizuar nga Federata e Industrive të São Paulo, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës.