Themelohet në Shqipëri Qendra Burimore dhe Trajnimeve për TIK-un
Një partneritet publik-privat
U çel dje zyrtarisht, në një ceremoni në ambientet e Kryeministrisë Qendra e parë Burimore dhe e Trajnimeve për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit (TIK), PROTIK, një bashkëpunim publik-privat ndërmjet disa partnerëve: Qeverisë së Shqipërisë, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), USAID, Microsoft Albania, Heëlett-Packard, Cisco dhe Albtelecom. Për çeljen e kësaj qendre të pranishmit, Drejtori i Misionit të USAID-it, Joseph Williams, Kryetari i Bordit të AADF-së, Michael Granoff, Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, si dhe përfaqësuesit e Microsoft dhe Albtelecom, firmosën një Memorandum Mirëkuptimi. Kjo qendër, e cila është planifikuar të hapet në pranverë 2012, do të mbështesë zhvillimin dhe përdorimin e inovacionit dhe TIK-ut për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të nxisë rritjen e këtij sektori në Shqipëri.
Qendra do të jetë një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, e modeluar sipas disa Qendrave të Inovacionit në fushën e TIK-ut në vende si Kroacia, Armenia e vende të tjera evropiane. Misioni i saj është të shërbejë si katalizator për zhvillimin e industrisë së TIK-ut në Shqipëri duke nxitur inovacionin, sipërmarrjen, duke rritur kërkesën për TIK dhe duke nxitur partneritete.
Projekti i Qendrës “PROTIK” synon të plotësojë tregun me veprimtari edukuese, me shërbime mbështetëse, me një mjedis teknologjik bashkëkohor dhe me veprimtari kërkimore. Veprimtaritë edukuese do të përfshijnë trajnime, këshillime dhe shërbime të tjera në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM), të sipërmarrësve, të sektorit publik dhe të profesionistëve dhe akademikëve të TIK-ut. Në funksion të përhapjes së informacionit, qendra “PROTIK” do të vërë theksin tek promovimi i produkteve të reja, forcimi i rrjetit në sektorin e TIK-ut dhe në vënien në dispozicion të burimeve të tjera të çmuara. Qendra do të sponsorizojë veprimtari të tilla si demonstrime të produkteve të reja, workshope për të paraqitur produkte dhe ndërmarrje shqiptare apo edhe konkurse inovative dhe arsimore në fushën e TIK-ut. Për të ndihmuar partneritete dhe për të zgjeruar ndërgjegjësimin për veprimtaritë e “PROTIK”-ut, qendra do të organizojë vazhdimisht veprimtari rrjetëzuese duke përfshirë takime ndërmjet bizneseve, takime të sektorit të TIK-ut (në bashkëpunim me shoqata partnere) dhe veprimtari të tjera informale për nxitjen e kontakteve dhe rrjetëzimit.