Trafik droge me maune në Greqi, dy në gjyq te Krimet e Rënda
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq dy persona të akuzuar për trafikimin e 50 kilogramë kanabis nga Shqipëria drejt Greqisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sipas të cilave, nga prokuroria është dorëzuar për shqyrtim dosja penale nr.109, në ngarkim të Eduart Kanes dhe Pëllumb Shkrelës, persona të akuzuar për "trafikim të narkotikëve në bashkëpunim". Dosja penale e këtij episodi trafiku e ka zanafillën tek arrestimi i Eduart Kanes, me 50 kilogramë kanabis, duke tentuar kalimin e kufirit shtetëror nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Më 29 mars 2009, policia ushtroi kontroll në maunen tip MAN me targa FR 7934 C, e cila drejtohej nga Eduart Kane. Mjeti ishte drejtuar të kalonte për në Greqi, por u ndalua në kontrollin e zakonshëm kufitar. Gjatë verifikimit, policia zbuloi brenda maunes sasinë e 50 kilogramëve kanabis sativa. Policia arrestoi menjëherë Eduart Kanen ndërsa dosja penale i kaloi për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet. Sipas verifikimeve të organit të akuzës, rezultoi se automjeti ku ishte fshehur droga i përkiste një biznesi në Fier. Edhe ngarkesa me drogë dyshohet se është nisur nga i njëjti qytet, me qëllim trafikimin në drejtim të Greqisë. Rreth 11 ditë më vonë në rrethana rastësore, Prokuroria zbuloi edhe të akuzuarin e dytë të kësaj çështje, Pëllumb Shkrela, edhe ai nga Fieri. Më 10 prill 2009, ai erdhi në Tiranë dhe po interesohej pranë Laboratorit të Policisë Shkencore, lidhur me ekspertizën që po zhvillohej për lëndën narkotike që ishte bllokuar në makinën e Eduart Kanes. Pëllumb Shkrela u ndalua në një lokal ku ishte takuar me një oficer të policisë shkencore dhe po bisedonte për ekspertizën e drogës. Pasi u mbajt disa orë në polici, Shkrelës iu morën shenjat e gishtave të cilat u krahasuan me gjurmët e gjetura në qeset e drogës që ishte bllokuar në maunen e Eduart Kanes. Krahasimi rezultoi pozitiv, sipas Prokurorisë, Pëllumb Shkrela kishte gjurmët e gishtave në pakot e mbushura me drogë. Organi i akuzës urdhëroi menjëherë arrestimin e tij në kushtet e flagrancës me akuzën e bashkëpunimit në trafik narkotikësh. Më pas deklarimet e personave me dijeni për ngjarjen, provat e tjera të grumbulluara por edhe thëniet e vetë të arrestuarve, prokuroria sqaroi rolin e dy personave në trafikun e ngarkesës me lëndë narkotike. tr.so