E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia, SHISH s’ka para për telefonat

 

Fatos Mahmutaj

Albtelekomi i merr SHISH-it me gjyq faturat e papaguara telefonike. Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës ka vendosur të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit në bazë të një vendimi të shpallur tre vjet më parë, sipas të cilit dega e SHISH e kryeqytetit i detyrohet Albtelekomit pagimin e faturave të muajit prill. Pas shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku dhe ka marrë formë të prerë, Albtelekomi i është drejtuar sërish Faktit, për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit në mënyrë që Përmbarimi të marrë në dorë dosjen dhe ta ekzekutojë atë. Urdhri i ekzekutimit është lëshuar nga gjykatësja kryeqytetase Manjola Bejleri, në bazë të vendimit të mëparshëm të këtij institucioni. Çështja civile mban numrin 2944, ndërsa kërkuesi në të është "Albtelekom" sh.a, rajoni "Tirana 1". Në vendimin e pak ditëve më parë është argumentuar se pala kërkuese, në këtë rast Albtelekomi, ka paraqitur në gjykatën e kryeqytetit kërkesën me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 7628, datë 27 dhjetor 2006 të Gjykatës së Tiranës. Në këtë vendimin, së pari është pranuar padia e Albtelekom ndaj SHISH. Më tej është vendosur detyrimi i palës së paditur, SHISH-it, të paguajë në favor të paditësit Albtelekom, vlerën në shumën prej 69.711,37 lekë të reja, vlerë që përfshin vlerën e detyrimit kontraktor prej 68.861,16 lekë dhe kamatë vonesën prej 1.030,21 lekë, vlerë të periudhës prill 2003. Pika e tretë e vendimit parashikon se shpenzimet gjyqësore i takojnë të paditurit, pra SHISH. Por institucioni humbës, kundër këtij vendimi ka bërë ankim në Apelin e kryeqytetit, gjykatë e cila me vendimin numër 319 datë 13 shkurt 2008 ka vendosur: "Ndryshimin e vendimit numër 7628, datë 27 dhjetor 2006 të Gjykatës së Tiranës si më poshtë: Lënien në fuqi për detyrimin e të paditurit, SHISH, të paguajë në favor të paditësit Albtelekom detyrimin kontraktor në masën prej 68.861,16 lekë. Ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e padisë për pagimin e kamatë-vonesave". Në bazë të kësaj, Gjykata e kryeqytetit argumenton se duke qenë se ky vendim në bazë të ligjeve, ka marrë cilësinë e titullit ekzekutiv, dhe duke u mbështetur në këtë fakt gjykata e gjen të drejtë dhe të bazuar në ligj kërkesën e bërë për vënien në ekzekutim të këtij titulli, nëpërmjet lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Në bazë të ligjeve në fuqi, gjykata ka argumentuar, pas pranimit të kërkesës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit 7628, datë 27 dhjetor 2006 të Gjykatës së Tiranës, i ndryshuar me vendimin numër 319, datë 13 shkurt 2008 të Apelit të kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›