Hashashi, "embargo" uji në Lazarat
Fatos Mahmutaj
Policia vë në "embargo" ujin e Lazaratin në kohën e ujitjes së hashashit. Pasi ka dështuar për vite me radhë në korrjen dhe shkatërrimin e parcelave të hashashit në fshatin rebel të Jugut, policia ka ndryshuar metodë, duke bllokuar ujin dhe plehun kimik që dërgohet në këtë fshat. Prej ditësh postblloqe të shumta policore kanë nisur bllokimin e autoboteve që kanë si destinacion Lazaratin, ndërkohë që nuk është lejuar as dërgimi i sasive të plehut kimik atje. Lajmin e pohojnë burime të Policisë së Shtetit, ndërkohë, blutë e Gjirokastrës e konfirmojnë të njëjtin lajm duke shtuar se operacioni ka filluar që nga muaji prill, por tashmë rritja e temperaturave për shkak të stinës së verës ka bërë që të intensifikohet, në mënyrë që të dëmtojë sa më tepër bimët e kanabisit, të cilat në këtë muaj ndodhen në fazën e fundit të rritjes. Prej shumë vitesh Lazarati ka mbetur një nga vatrat më të theksuara të kultivimit të bimës narkotike Canabis Sativa, duke i rezistuar në këtë mënyrë operacioneve të shumta policore. Kanë qenë shumë të pakta rastet kur policia ka mundur të hyjë në këtë fshat, por edhe pas kësaj ka arritur të asgjësojë veçse dhjetëra bimë hashashi, sasi kjo e papërfillshme për fshatin që e kultivon në masë. Thuajse çdo tentativë policore për të hyrë në fshatin rebel është përballur me kundërshtimin e ashpër të banorëve, të cilët të armatosur kanë qëlluar mbi efektivët e policisë, ndërsa vitet e fundit janë shënuar edhe raste kur është sulmuar Komisariati dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër nga banorët e acaruar. Duke mos pasur shumë rrugë për të hyrë në këtë fshat dhe për të ndaluar kultivimin e hashashit, policia e Gjirokastrës ka vendosur të bllokojë ujin dhe plehun kimik, dy lëndë të domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e bimëve të kanabisit, të cilat nuk mund të gjenden në këtë fshat. Është fakt që në fshatin Lazarat nuk gjendet asnjë burim natyral uji, duke detyruar banorët që ta marrin atë me anë të autoboteve, shpeshherë duke e blerë me çmime të kripura. Duke e shfrytëzuar këtë fakt, policia ka vendosur bllokimin në hyrje të fshatit të të gjitha automjeteve që dërgojnë ujin atje. Hyrja e fshatit, në lagjen Kordhocë, është pika e fundit deri në të cilën mund të shkojë policia, ndërsa më sipër qarkullimi është i rrezikshëm për efektivët me uniformë. Kjo për faktin se banorët janë konfrontuar me armë mjaft herë me policinë. Burime policore pohojnë se përgjatë rrugës Gjirokastër - Lazarat dhe Derviçan - Lazarat janë vendosur disa postblloqe stacionarë që kontrollojnë automjetet që transportojnë ujë, dhe ndalojnë cilindo që tenton të shkojë drejt Lazaratit. Po kështu patrulla të lëvizshme policore kontrollojnë përgjatë rrugës edhe transportimin e plehut kimik që ka si destinacion fshatin Lazarat. Policia pohon më tej se ky aksion, do të vazhdojë edhe në javët në vazhdim deri në muajin gusht, kur është faza e fundit e kultivimit të bimëve narkotike. Ndërkohë në aksion pohohet se janë angazhuar forca të shumta policore, të cilët patrullojnë me tre turne rrugën për në Lazarat.
Fshati në hartën e kultivuesve
TIRANE - Emri i fshatit Lazarat është vendosur sërish në hartën policore të zonave që kultivojnë bimë narkotike. Burime policore pohojnë se kanë dështuar me zhdukjen e bimëve narkotike nga fshati Lazarat dhe zonat e Jugut të vendit, pasi ka informacione se kultivimi i bimëve të ndaluara, nuk është penguar aspak. Banorët e Lazaratit, të ndihmuar edhe nga vera e lagësht e sivjetme, kanë sfiduar forcën e shtetit duke mbjellë sërish parcela të shumta me kanabis. Sipas policisë, bima narkotike është kultivuar nëpër bahçet e lazaratësve, pranë banesave në mënyrë që të jetë më e ruajtur qoftë nga vjedhësit, qoftë nga policia, e cila mund të nisë operacione të asgjësimit të narkotikëve siç ka bërë çdo vit. E vetmja mundësi që i ka mbetur policisë në këtë kohë, është bllokimi i sasive të ujit që ka si destinacion Lazaratin, në mënyrë që të frenojë sadopak kultivimin e bimës së ndaluar. Ndërsa vetë banorët e fshatit rebel, deri pak ditë më parë nuk kanë reaguar ndaj bllokimit të ujit, ndoshta për faktin se janë ndihmuar edhe nga moti i lagësht dhe me temperatura të ulëta për stinën, në ditët e kaluara. Por rritja e temperaturave ditët e fundit ka bërë që policia të rinisë aksionin e bllokimit të autoboteve me ujë që udhëtojnë drejt këtij fshati. Ende nuk ka një shifër zyrtare të policisë së Gjirokastrës për sasinë e hashashit të mbjellë në Lazarat. f.m.