Pritet të restaurohet, Pazarit të Korçës i vihet flaka
Digjet magazina me 11 milionë lekë mall. Tregtarët dyshojnë se zjarri i është vënë me qëllim, ndërsa kundërshtojnë të largohen për t’i hapur rrugë restaurimit
Korçë- E ndërsa pritet që Pazari i Korçës të restaurohet, në një magazinë të tij kanë shpërthyer dje në mëngjes flakët, të cilat kanë shkrumbuar rreth 11 milionë lekë mall. 48 tregtarë të Pazarit historik të Korçës janë njoftuar nga Bashkia e qytetit të largohen për të ushtruar aktivitetin e tyre në një tjetër pozicion, për shkak të punimeve për restaurimin e kësaj qendre tregtare historike, e cila gjatë paradites së të premtes është pushtuar nga zjarri që ra në një magazinë brenda saj.
Një magazinë me rroba të përdorura është përfshirë gjatë së premtes nga flakët e zjarrit në Pazarin karakteristik të Korçës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Tregtarët e dëmtuar dyshojnë se zjarri është i qëllimshëm, pasi në këtë magazinë mungonte rryma elektrike. Madje, ata dyshojnë se zjarri është bërë nga jashtë, sepse në magazinë nuk ka pasur as energji. Kjo ka qenë dhe dëshmia që tregtarët kanë dhënë në polici, ndërsa janë shprehur gjithashtu se nuk ka pasur probleme nga ana e pronarëve, gjë që e bën dhe më misterioz këtë zjarr. Përafërsisht rreth 11 milionë lekë është vlera e dëmit të shkaktuar nga zjarri në këtë magazinë, ndërsa policia tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Pazari historik i Korçës së shpejti pritet të kthehet në identitet pas një projekti të financuar nga Komisioni Europian, si dhe Bashkia e qytetit. Projekti i restaurimit të Pazarit historik do t’u nënshtrohet tri fazave. Faza e parë ka nisur vetëm një ditë më parë, ndërkohë që kjo do të shoqërohet me largimin e 48 tregtarëve nga vendi i tyre, gjë që nuk është pranuar nga këta të fundit. Tregtarët kanë kundërshtuar largimin, ndërsa Bashkia nga ana e saj iu ka bërë të ditur zyrtarisht vendin ku ata do të vendosen deri në përfundim të punës në godinat e pazarit ku ata ushtrojnë aktivitetin e tyre. Ndërkaq, pjesë-pjesë do të largohen të gjithë tregtarët deri në mbylljen e punimeve që pritet të përfundojnë gjatë vitit 2012. Nuk dihet nëse 48 tregtarët do të largohen gjatë këtyre ditëve, pasi kanë këmbëngulur të mos ikin, duke pretenduar se vendi ku është përcaktuar qëndrimi i tyre është i papranueshëm për ta dhe jashtë kushteve më minimale. Bashkia ka marrë përsipër, nëpërmjet policisë bashkiake, të flasë me këta të fundit për ta zgjidhur pa konflikte largimin e tyre nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin prej afro dy dekadash. Pazari i Korçës është një objekt me vlera të hershme historike dhe jo vetëm.
Ai karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dykatëshe. Gjatë shekujve të kaluar ky pazar ka qenë vend i rëndësishëm i shkëmbimeve të mallrave të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, por edhe Trieste e Venecia. Ai është bërë i njohur për hanet e vendosura në mënyrë të njëpasnjëshme në të, të cilat shërbenin si fjetore për të gjithë ata që vinin nga jashtë qytetit. Tashmë duket se në mënyrë të qëllimshme është djegur një nga magazinat në vendin ku gjenden tregtarët që duhet të largohen. Policia po heton për të zbardhur shkaqet e këtij zjarri që mbetet shumë misterioz. I .Vreto