Aksidenti në punë, vdes saldatori 44 vjeç
Një 44-vjeçar ka humbur jetën pas kontaktit aksidental me tensionin e lartë ndërsa po punonte si saldator. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të ish-Fermentimit në qytetin e Shkodrës, pasditen e së premtes. Fran Dakaj 44 vjeç, nga fshati Shtoj i Ri, komuna Rrethina në Shkodër, ka qenë duke salduar një shufër hekuri tek një objekt pranë ish-Fermentimit. Nga pakujdesia, shufra ka ndeshur në një tel të tensionit të lartë dhe duke përçuar rrymën elektrike është shkarkuar në trupin e saldatorit. Personat që kanë qenë afër janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, por sipas policisë që i referohet dëshmive dhe veprimeve të kryera në vendin e ngjarjes, vdekja e 44- vjeçarit ka qenë e menjëhershme.