E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet votebesimi i qeverise se Papandreut. Protesta ne Athine

Të indinjuarit grekë kanë pritur votëbesimin e qeverisë së re të kryeministrit Papandreu me protesta përpara parlamentit, në të 28–ën ditë rresht. Qeveria greke ndodhet nën presionin e Brukselit që ka kushtëzuar miratimin e ndihmës 12 miliardë euro me kalimin e paketës së re të kursimeve në parlament.

"Shqetësimi kryesor i kësaj qeverie, i Kryeministrit, dhe imi, është të rikthejmë barazpeshën në masat e kursimit. Kështu, prioriteti ynë i parë do të jetë implementimi i një sistemi të ri taksash që shpresojmë të pranohet gjerësisht dhe që do i japë fund padrejtësisë provokuese që u bëhet atyre që nuk u shmangen taksave të paguajnë më shumë sesa ata që u shmangen”-tha Ministri i Financave, Evangelos Venizelos.

Paketa e parë u miratua në mars 2010 dhe shkurtoi pagat dhe përfitimet e pensionistëve, ndërsa rriti taksat. Paketa e dytë gjithashtu rrit taksat, privatizon kompanitë shtetërore, rrjedhimisht shkurton  vendet e punës dhe shpenzimet publike.
Qeveria e re përballet me një situatë shumë të vështirë, pasi paketa për pesë vitet e ardhshme, parashikon shkurtimin e 28 miliardë euro me anë të rritjes së taksave dhe shpenzimeve të ulëta.

Miratimi i paketës që duhet të kryhet brenda datës 3 korrik të vendosur nga ministrat e eurozonës, kusht për marrjen e transhit të pestë të ndihmës prej 12 miliardë euro, do të shoqërohet me miratimin e ligjeve plotësuese që do të krijojnë cdo herë pakënaqësi tek qytetarët dhe me shumë protesta.

Papandreu kërkoi votëbesimin e qeverisë së riformatuar për të marrë pak kohë, nga protestat popullore në rritje dhe tronditjes së pozicionit të tij brenda mazhorancës socialiste. Por të gjitha këto kanë sjellë tronditje në tregje, dhe nga ana tjetër, nuk kanë shërbyer për uljen e zemërimit popullor.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›