Pritja e afganëve, kryeministri Rama merr dekoratë nga Universiteti Georgetown në Uashington

Kryeministri Edi Rama, mori nga Universiteti Georgetown në Uashington një dekoratë mirënjohje, për pritjen e afganëve në Shqipëri, si edhe për hapësirën që i është dhënë femrave në qeveri.
“Faleminderit që hapët dyert dhe iu ofruat strehë atyre që kishin nevojë. Faleminderit për udhëheqjen e Shqipërisë dhe zbatimin e agjendës për gratë, paqes. Keni krijuar një mjedis mundësues për promovimin e grave. Do na sillni një udhëheqje të fortë, mezi presim të punojmë me ju. Keni një përqindje të lartë të grave në poste ministrore në qeveri. Ju paraqesim një shenjë të mirënjohjes sonë, për udhëheqjen tuaj për gratë dhe sigurinë.”-tha një përfaqësuese e Universitetit.
Kryeministri Edi Rama përmendi bashkëjetesën fetare si një nga gjërat më të çmuara të vendit tonë. Rama është shprehur se afganët mund të qëndrojnë sa të duan në Shqipëri dhe nëse nuk pajisen me viza amerikane mund të qëndrojnë këtu përgjithmonë.
“Sa herë dëgjoj fjalë kaq të bukura, për atë çka kemi bërë, në raport me afganët, gratë afgane, aktivistët afganë, kam një ndjenjë sikleti sepse çfarë është kaq e veçantë, duhet të kishte qenë normë për të gjithë. E trishtë që një vend kaq i vogël si Shqipëria, përgëzohet kaq shumë pasi të tjerë shumë më të mëdhenj, më të fuqishëm, më të pasur u larguan përballë nevojës së këtyre njerëzve në Afganistan. Nuk u kundërshtua politikisht nga askush edhe pse nuk kemi një jetë më të lehtë politike. Kur erdhi fjala për strehimin e afganëve, nuk pati mosdakordësi. Gjithçka ka të bëjë me të qenit njerëzor. Edhe nëse nuk pajisen me viza, ata mund të qëndrojnë përgjithmonë tek ne. Jam katolik, bashkëshorten e kam myslimane. Fëmijët tanë, nga martesat e mëparshme janë ortodoksë. Kemi një të vogël i cili mund të vendosë të bëhet hebre, e merr ai vendimin. E përmend këtë shembull sepse mendoj se kjo është trashëgimia më e bukur që ka Shqipëria. Për ata që më kanë pyetur pse e kam bërë, i përgjigjem dhe i them që këta jemi ne. Nuk e kemi të shkurtër kujtesën, jam krenar që Shqipëria mundi ta bënte.”-tha Rama.
Sa i përket grave në qeveri, kryeministri Edi Rama tha se ato janë më të afta për të vepruar ndërsa për burrat theksoi se janë më të mirë për të folur.
“Besoj na duhen më shumë gra, burrat janë të mirë për të folur ndërsa gratë janë më të mira për t’i bërë gjërat, për të vepruar.”-tha Rama.
Ndërsa dy përfaqësues të Universitetit Georgetown thanë se janë habitur nga mikpritja e Shqipërisë për afganët.
“Shqipëria ishte e para që i hapi dyert refugajtëve afganë, për pritjen e mbi 2000 prej tyre duke treguar angazhimin e Shqipërisë për komunitetin tonë global. Kontaktova disa afganë në Shqipëri, dhe më thanë jam në një hotel me pamje nga deti. Dua të them se u habita për mikpritjen dhe kjo tregon frymën e Shqipërisë dhe tregon shpresën për këta qytetarë afganë.”-thanë ata.