Komisioni i inceneratorëve, mosmarrëveshjet mes anëtarëve të opozitës

Komisioni hetimor parlamentar për incineratorët, është përfshirë nga mosmarrëveshjet mes anëtarëve të opozitës. Deputeti Edmond Spaho, përkrahës i ish kryeministrit Berisha, tha se komisioni do të ketë fatin e komisioneve të tjera dhe asnjë rezultat, dhe se ligji për komisionet hetimore duhet të ndryshojë.
“Mendoj se ky komision do të ketë fatin e komisioneve të tjera hetimore, që nuk prodhon rezultat pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të nxjerrë faktet në dritë dhe për të informuar opinionin mbi vjedhjet skandaloze që janë bërë në këto tre kontrata” tha zoti Spaho gjatë mbledhjes.
“Mazhoranca është e vendosur që ky komision të dështojë siç kanë dështuar dhe komisionet e tjera parlamentare” tha ai.
“Nuk kam për të qenë pjesë e këtij komisioni, nga dita e sotme dhe deri sa të jem në kuvend nuk do votoj krijimin e asnjë komisioni hetimor derisa të ndryshojë ligji dhe ti japë kërkuesve të krijimit të komisionit hetimor të drejtën për të pasur shumicën, që në shumicën e rasteve është opozita” paralajmëroi deputeti Spaho.
Por kryetarja e komisionit deputetja e PD Jorida Tabaku, përkrahëse e kryetarit të PD Basha, tha se “do shumë guxim, kurajo dhe integritet ti vesh emër korrupsionit”. “Ajo që ka dalë në dritë deri tani në fakt e ka bërë të dridhet qeverinë” shtoi zonja Tabaku. Sipas saj kryeministri Edi Rama i shiti disa ministra, dhe tha do të kenë përgjegjësi personale. “Ju e shikoni sesi dëshmitarët ndryshojnë kur vijnë këtu. Ju shikoni sesi pyeten dëshmitarët. Pa asnjë kompromis!” tha zonja Tabaku.