E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pritja e gjatë” kap 6 hajdutët,20 vjedhje me armë në Tiranë

16/09/2011  Shkatërrohet grupi me 4 tepelenas e 2 nga Peshkopia, plagosën policin në operacion

TIRANË- Drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, shpjegoi dje detajet e operacionit të bluve, dy ditë më parë, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur një efektiv policie dhe dy hajdutë që kishin hyrë për të grabitur sallën e lojërave të fatit. Operacioni ishte koduar “Pritja e gjatë” dhe konsistonte në arrestimin e grupit kriminal që kryente vjedhje me armë të lojërave të fatit dhe kazinove në Tiranë e qytete të tjera. Qëllimi i operacionit policor ishte kapja në flagrancë e grupit kriminal të përbërë prej 6 personash, të cilët kishin planifikuar vjedhjen me armë të radhës në Tiranë, në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Gjatë zhvillimit të operacionit për kapjen dhe arrestimin e tyre në flagrancë, strukturat e policisë kanë ndërhyrë me thirrjet “Ndal Policia” në momentin kur autorët kishin realizuar vjedhjen me armë dhe ishin duke dalë jashtë sallës së lojërave të fatit Apex në rrugën “Luigj Gurakuqi” të maskuar dhe të armatosur. Menjëherë pas thirrjeve të qarta të policisë shtetasit Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj janë përgjigjur duke qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë, e cila ka reaguar për neutralizimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur shtetasit Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj, si dhe E.Gj, punonjës i policisë i Forcave Speciale Operacionale. Në përfundim të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë shtetasit Bejo Pasha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, Niklovan Çuraj, 25 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, Jonida Çuraj, 21 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, Ani Rrapa, 23 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, Ilirjan Ilnica, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi dhe Jedmir Elmazi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi. Në vendngjarje janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale një pjesë predhe metalike, armë zjarri pistoletë e prodhimit italian, një armë pistoletë e llojit Makarov, si dhe një sërë sendesh maskuese, të cilët kanë shërbyer për të fshehur identitetin e autorëve, një automjet me targë TP 2684 B, rroba të përdorura në disa vjedhje me armë, një pistoletë e prodhimit italian dhe automjeti i markës Wolksvagen Golf III me targë SH 5044 D. Shtetasit Bejo Pasha i është gjetur në xhep shuma e lekëve të vjedhura prej 2 milionë e 457 mijë lekësh të vjetra, 100 euro, si dhe 3 telefona celularë, dy prej të cilëve të vjedhura në sallën e lojërave të fatit. Deri më tani atyre u janë dokumentuar 20 grabitje në Tiranë, por dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në qytete të tjera. Njëherazi, materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes me armë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 140-25 i Kodit Penal.

20 grabitjet me armë në Tiranë

Më 31 janar 2011, në rrugën “Sulejman Delvina” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit “4 shtatat”. Më 25 shkurt 2011, në rrugën e Kavajës, kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit “Çezar”. Më 09 mars 2011, në rrugën “Muhamet Gjollesha” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit “Admiral”. Më 10 mars 2011, në rrugën “Muhamet Gjollesha” kanë vjedhur me armë pikën e lojërave të fatit në pronësi të shtetasit E.M. Më 03 maj 2011, në rrugën “Sulejman Delvina” kanë vjedhur me armë supermarket “EuroMax”. Më 09 maj 2011, në rrugën “Komuna e Parisit” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit, në pronësi të shtetasit S. L. Më 09 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë, supermarket “Neziri” në pronësi të shtetasit N.H.

Më 22 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë supermarket “Neziri” në pronësi të shtetasit N. H. Më 28 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë lokalin eurolloto me pronësi të shtetasit A.D. Më 20 qershor 2011, në rrugën “Komuna e Parisit”, kanë vjedhur me dhunë supermarket “Mercator”. Më 27 qershor 2011, në Bulevardin Zogu I kanë vjedhur me dhunë lokalin e lojërave të fatit, APEX. Më 13 korrik 2011, në rrugën “Teodor Keko”- Unaza e Re kanë vjedhur me dhunë karburant Alpet. Më 19 korrik 2011, në rrugën “Komuna e Parisit” kanë vjedhur me armë supermarket “Mercator”. Më 23 korrik 2011, në Bulevardin Zogu i I kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit APEX, në pronësi të shtetasit L.V. Më 07 gusht 2011, në afërsi të gjimnazit “Qemal Stafa”, kanë vjedhur me armë shtetasin E. K. Më 21 gusht 2011, në rrugën e Kavajës kanë vjedhur me armë lokalin “Zgara Korça” me të dëmtuar shtetasin L. K. Më 22 gusht 2011, në afërsi të Spitalit Ushtarak kanë vjedhur me armë supermarketin në pronësi të shtetasit T. F. Më 27 gusht 2011 rreth orës 22:30 në rrugën “Don Bosko” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit Apex. Më 02 shtator 2011 rreth orës 21:36 në rrugën “Pandi Dardha” kanë vjedhur me armë supermarket KMY. Më 14 shtator, rreth orës 22:35 në rrugën “Luigj Gurakuqi” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit Apex.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›