E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi Vokshi-Balla,avokati i Ballës kërkon kohë

16/09/2011  Akuza për shpifje mes politikanëve të PD e PS

TIRANE-Procesi gjyqësor ku protagonistë janë dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla dhe Albana Vokshi, ka startuar me shtyrjen e seancës për shkak se avokati mbrojtës i Ballës, ka kërkuar të njihet me padinë e bërë nga deputetja e PD, Vokshi. Në seancën e djeshme të zhvilluar në gjykatën e Tiranës dy deputetët nuk ishin të pranishëm, por kishin zgjedhur të përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës. Seanca nuk zgjati më shumë se prezantimi i palëve, pasi avokati i deputetit Balla kërkoi kohë për t’u njohur me padinë dhe kërkesat e deputetes Vokshi. Deputetja e selisë blu Albana Vokshi e ka paditur deputetin Balla, për shpifje dhe kërkon prej tij si dëmshpërblim shumën financiare prej 40 mijë eurosh. Bëhet fjalë për deklarimet e kolegut socialist në gusht të vitit të kaluar, kur ky i fundit ka deklaruar se deputetja Vokshi është e përfshirë në çështje korrupsioni, duke ndikuar në dhënien e licencave të koncesionit për ndërtimin e 6 HEC-ëve, kompanive të bashkëjetuesit të saj, Arian Tartari. Por ndërkohë, përveç deputetit Balla, deputetja Vokshi ka paditur edhe 8 të zgjedhur të tjerë të Partisë Socialiste: Mimi Kodhelin, Eduart Shalsin, Olta Xhaçkën, Eltar Dedën, Vasilika Hysin, Saimir Tahirin dhe Artan Gaçen. Për secilën padi shuma e kërkuar nga Vokshi varion nga 10 deri në 50 mijë euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›