Pritje mbretërore

Futbollistët e Spanjës janë pritur si heronj me t’u kthyer në atdhe. Pasi e preku aeroportin Madrid-Barajas, kontingjenti spanjoll e ka vazhduar rrugëtimin me autobus. Heronjtë e ‘Stuhisë së Kuqe’ kanë përfunduar më pas në kryeqytetin Madrid, ku janë pritur nga qindra mijëra njerëz, pas suksesit të jashtëzakonshëm në Ukrainë dhe Poloni.
Lojtarët, pas triumfit të tretë rresht në një turne të rëndësishëm, janë uruar nga mbreti Juan Carlos, kurse më pas i përshkuan rrugët e Madridit me një autobus të hapur për ta festuar titullin në qendrën Plaza de Cibeles, ku rrugët ishin bllokuar dhe ekrane të mëdha ishin vendosur përskaj rrugëve.
“Jemi të kënaqur dhe të lumtur për suksesin. Ishte e vështirë dhe ne ia dolëm”, ka thënë me të mbërri në aeroport portieri Casillas, i cili konsiderohet si lojtari kyç në triumfin spanjoll. - “Jemi të lumtur sepse njerëzit po e shijojnë këtë sukses. Ne do të festojmë dhe për këtë jemi të lumtur. ‘Kajmaku’ do të arrijë në orët e ardhshme”, shtoi ai.
Mesfushori Xabi Alonso po ashtu ishte i lumtur që po festonin së bashku me tifozët e shumtë. “Ne e merituam këtë titull. Shkuam me ambicie dhe kemi arsye për të festuar. Jemi shumë, shumë të lumtur. Po kënaqemi duke e festuar trofeun me njerëzit tanë”, tha mesfushori i Real Madridit.
Mbi 50 gazetarë kishin arritur në aeroportin e kryeqytetit spanjoll, ndërsa flamujt spanjollë po valëviteshin gjithandej vendit. “Krenarë me skuadrën tonë”, shiheshin transparente nëpër cepat e rrugëve.
“Ata jo vetëm që e bënë historinë me trofeun e tretë rresht, por gjithashtu shënuan katër gola ndaj Italisë, gjë të cilën nuk e kishte bërë askush. Fitorja na ngriti moralin dhe të paktën për 2-3 ditë nuk do të mendojmë për krizën”, ka thënë tifozi 28 vjeç me emrin Juan, i cili po e festonte titullin e Spanjës.
Të rinj dhe të vjetër ishin mbledhur në sheshin e Madridit, të përcjellë me këngën e famshme ‘We are the Champions’. Fishekzjarrë, kërcime dhe buri të veturave të përcjella me flamuj kombëtarë në duart e tifozëve e përshkuan natën e së hënës dhe mëngjesin e së martës në Madrid.
Golat nga David Silva, Jordi Alba, Fernando Torres e Juan Mata ia dhuruan fitoren Spanjës në finale me Italinë të dielën mbrëma në Kiev të Ukrainës. 15,481,000 njerëz, ose 83.4 për qind e audiencës televizive e përcollën fitoren e Spanjës, një rekord ky në audiencën spanjolle për një ndeshje futbolli.