S’e kënduan himnin, u eliminuan

Gjermanët janë duke debatuar për faktin se përfaqësuesit e tyre dukeshin me mungesë pasioni rreth këndimit të himnit kombëtar, gjë e cila, sipas tyre, ka të bëjë diçka me humbjen e tyre nga Italia në gjysmëfinale të kampionatit evropian ‘Euro 2012’.
‘Die Mannschaft’ e nisën për mrekulli kompeticionin e mbajtur në Ukrainë dhe Poloni, duke vazhduar më pas me fitore në çerekfinale ndaj Greqisë, por u ndalën befasisht nga Italia në gjysmëfinale, ku dështuan totalisht.
“Ata që i panë italianët se si këndonin, me ulërimën e tyre, tregon se si ata u sollën gjatë tërë 95 minutave. Unë nuk e pash një gjë të tillë, që dëshiron ta japë maksimumin, në ekipin gjerman”, deklaroi trajneri i Wolfsburgut, Felix Magath.
Të hënën, tabloidi i njohur gjerman ‘Bild’ pyeste: “A jemi ne patriotë mjaftueshëm?”. “Është vërtet për të ardhur turp se si jo të gjitha futbollistët tanë nuk e kënduan himnin kombëtar”, ka thënë deputeti konservativ Hans-Peter Uhl.
Në këtë çështje ka reaguar edhe legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer. “Vrulli duhet të fillojë para fillimit të ndeshjes dhe këndimi i himnit së bashku ndihmon për këtë”, ka thënë ai.
Beckenbauer tregon se ua kishte dhënë tekstin e himnit lojtarëve dhe i kishte obliguar ata që ta këndonin atë, kur ishte selektor i Kombëtares, në periudhën kur Gjermania Perëndimore e kishte fituar Kampionatin Botëror 1990.
Sidoqoftë, ministri i Punëve të Brendshme, Hans-Peter Friedrich, i cili është përgjegjës për sport, ka qenë më i ‘butë’ në deklaratat e tij. “Natyrisht, unë ndihem mirë kur njerëzit e këndojnë himnin kombëtar dhe e shfaqin lidhjen me vendin e tyre dhe me atdheun duke shfaqur emocione, të cilat janë të nevojshme dhe të dobishme”, deklaroi Friedrich për Bayern2 radio.
“Në anën tjetër, mendoj se njerëzit nuk duhet që, pas humbjes në gjysmëfinale, të shikojnë dhe të gjejnë arsye, të cilat ndonjëherë nuk duken bindëse”, vijoi ai.
Edhe selektori gjerman, Joachim Low, ka marrë kritika nga mediat gjermane për zgjedhjet e tij në formacionin bazë dhe për taktikën që e vendosi në humbjen 2:1 nga Italia, të enjten e kaluar.