Samiti: Ekonomia globale po përmirësohet

Ministrat e financave të 20 vendeve më të industrializuara kanë pohuar se ekonomia botërore po rimëkëmbet me ritme më të shpejta seç pritej nga kriza bankare e vitit 2008.
Por në takimin e tyre në Korenë e Jugut delegatët e G20-ës, krerët e financave të planetit u shprehën se paqëndrueshmëria e tregut financiar gjatë kohëve të fundit tregon se ekonomia botërore ka ende mjaft sfida për të superuar.
Ata thanë se deficitet e mëdha buxhetore duhen shkurtuar por nuk ranë dakord përsa i përket krijimit të një fondi bankar që do të ndihmojë vendet që do të kenë probleme në të ardhmen. Një taksë globale mbështetet nga Amerika dhe Evropa por kundërshtohet nga vendet në zhvillim, si dhe nga Kanadaja dhe Australia. Në këtë takim u vendos agjenda për samitin e Torontos që do të mbahet ne 26-27 qershor. Në deklaratën e tyre delegatët thanë se sektori financiar duhet të jepte një kontribut të drejtë dhe substancial për paketat e ardhshme të shpëtimit.
Ministrat gjithashtu kërkuan më shumë transparencë , rregullim dhe mbikëqyrje të fondeve financiare, agjencive të kreditit dhe praktikave të tjera financiare. Ata thane se shoku financiar që përjetuan qeveritë, sidomos të vendeve të Eurozonës tregon se e ardhmëria është e mbushur me sfida. Komunikata e samitit flet edhe për një strategji të daljes nga kriza, gjë që tregon një ndryshim të madh në drejtimin e G20-ës.