E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk marrin shpërblimin 1500 nëna të reja

23/03/2010 Bashkia: kemi certifikatat, por nuk na ka ardhur fondi Ankohen prindërit tek Avokati i Popullit

ELBASAN- Janë 1500 fëmijë të lindur në dy vjetët e fundit që nuk janë shpërblyer nga shteti në Bashkinë e Elbasanit. Ligji i miratuar në vitin 2008 u jep mundësinë prindërve të marrin si shpërblim 5 mijë lekë pas lindjes së një fëmije, gjithmonë kur e regjistrojnë atë brenda afatit, por prej një viti foshnjat e Elbasanit nuk marrin paratë.

Mosshlyerjet

Janë 1500 fëmijë që duhet të shpërblehen me nga 5 mijë lekë dhe lindjet sa vijnë e shtohen. Sipas Bashkisë së Elbasanit, fondi ka ardhur vetëm vjet në një sasi të vogël e më pas nuk ka ardhur më, duke shtuar lindjet që duhet të shpërblehen. Nënkryetari i Bashkisë, Serafin Papa, tha se Bashkia e Elbasanit ka marrë një fond për shpërblimet që në korrik të vitit të kaluar me vlerën 1 milion e 250 mijë lekë. Ky fond u shpërnda për lindjet e vitit 2008. Pas këtij fondi Bashkia ka bërë në mënyrë të vazhdueshme kërkesa për një fond tjetër. Numri i fëmijëve sa vjen e shtohet dhe nga 5 milionë lekë kërkesa ka shkruar në 7 milionë lekë, por ende nuk ka asnjë konfirmim për ardhjen e fondit për shpërblimin e lindjeve. Bashkia i ka nisur një tjetër shkresë së fundi Ministrisë së Brendshme dhe për dijeni Ministrisë së Financave, bashkë me kërkesën për fondin e lindjeve. Çdo ditë prindërit pyesin për paratë dhe ankohen për vonesën e shkaktuar, ndërkohë që fëmijët e tyre po bëhen dy vjeç. Ankesat e tyre kanë mbërritur deri tek Avokati i Popullit. Përfaqësues të tij kanë kërkuar sqarime nga Bashkia e Elbasanit lidhur me këtë çështje. Zëdhënësja e Bashkisë, Jonida Gucaj (Ackova) tha se Bashkia është thjesht shpërndarës i parave, ndërsa fondi vjen nga Ministria. Janë 1500 fëmijë që do të duhet të shpërblehen me 5 mijë lekë të reja për lindje, por ende nuk ka asnjë lajm për ardhjen e këtij fondi dhe më pas shpërndarjen te prindërit e rinj, të cilët e quajnë “burokraci” dhe “tallje” mungesën e parave që duhet t’i marrin me ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›