E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi OSSH, qeveria bie dakord me kompaninë çeke

Qeveria shqiptare dhe kompania çeke, “CEZ” bien dakort për çëhstjet kryesore në kontratën e privatizimit të OSSH, që janë çmimi i energjisë elektrike dhe ulja e nivelit të humbjeve. Tashmë po diskutohen vetëm çështjet teknike. 

TIRANE- Negociatat që po zhvillohen për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke “CEZ”, fituese në tender, ndodhen afër përfundimit. Burime nga grupi negociator bëjnë të ditur se është rënë dakort për çështjet thelbësore dhe janë suke u diskutuar vetëm çështjet teknike të dokumentacioneve. Sipas këtyre burimeve pas disa ditësh do të caktohet edhe data e nënshkrimit të kontratës të privatizimit të OSSH-së, e cila më pas do të kalojë për miratim në parlament. Fazë kjo që do të shënojë edhe kalimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në duart e investitorit privat. Nga burimet e mësipërme mësohet se palët negociatore kanë rënë dakort për çmimin e energjisë elektrike pas shitjes së kompanisë. Për vitin 2009 nuk do të ketë rritje të çmimit, ndërkohë që për vitet e ardhshme rritja do të jetë graduale. Një tjetër çështie për të cilin është arritur konsensusi është edhe kushti i qeverisë shqiptare për uljen e nivelit të humbjeve. Investitorit i është kërkuar që niveli i humbjeve të ulet deri në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në vitin 2014. Negociatat për privatizimin e OSSH-së kanë nisur që në fillim të muajit dhjetor dhe ato janë konsideruar të vështira për shkak të specifikës që ka sektori i shpërndarjes së energjisë, por edhe problematikës që e ka shoqëruar atë në vite. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›