PS,Balla: Konsullatat të mbytura nga korrupsioni
TIRANE- Partia Socialiste ka denoncuar sot abuzimet me fondet në konsullatat shqiptare. Deputeti Taulant Balla iu referua dokumentave zyrtare ku në konsullatën shqiptare në Athinë, vitet e fundit të ardhurat e arkëtuara prej saj janë shumë më të ulta se ato para vitit 2005. “Faktet mbi korrupsionin kriminal nga përfaqësitë konsullore shqiptare në Milano, Bari, Romë, Athinë, Selanik, Janinë, të kthyera në struktura zhvatjeje dhe falsifikimi janë bërë tashmë publike”-ka thënë Balla në një deklaratë për mediat.
Duke ju referuar shifrave, Balla ka thënë se duke filluar nga viti i parë kur në konsullatën Shqiptare në Greqi u vendosën militantët e Partisë Demokratike, janë zhdukur rreth 1.5 milionë Euro.
“Edhe sikur të pretendohet se janë hequr një pjesë e legalizimeve në pjesën e dytë të vitit 2007, përsëri në llogarinë e kësaj Konsullate mungojnë të paktën 1 milionë Euro”-ka deklaruar Balla.
Duke hedhur akuza ndaj Ministrit të jashtëm , Partia Socialise ka kërkuar fillimin e hetimeve nga ana e prokurorisë për të zbardhur aktet korruptive dhe shpërdorimin e detyrës nga shërbimi konsullor i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm Basha.
(e.n/ Balkanweb)