E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i “Albpetrol”/METE: Fituesi, pasi të jetë vlerësuar dokumentacioni i kompanive pjesëmarrëse

09-09-2012 / Gazeta 55

Një ditë pas tenderit për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol” Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës deklaron se fituesi do shpallet pas shqyrtimit të dokumentacionit nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe konsultimit me amerikanët e “Patton Boggs”. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bën me dije opinionin publik se Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të Albpetrol sh.a po shqyrton dhe vlerëson të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në ankandin e privatizimit të aksioneve të kompanisë “Albpetrol” sh.a. Gjithashtu, me përfundimin e këtij procesi shqyrtimi dhe në konsultim të vazhdueshëm me firmën amerikane të konsulencës “Patton Boggs”, do të bëhet edhe vlerësimi final përsa i takon ofertave të paraqitura në këtë ankand. METE, do t’ju informojë si zakonisht edhe në ditët në vazhdim në lidhje me ecurinë e këtij procesi deri në përfundimin e tij”- thuhet në deklaratën për mediat të shpërndarë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Tenderi për privatizimin e “Albpetrol” tërhoqi vëmendjen e disa kompanive të njohura botërore.
Në garë morën pjesë 6 kompani, ndërsa oferta më e lartë ishte ajo e kompanisë amerikane, me bazë në Cikago, Silk Road Equaity, e cila ofroi një vlerë prej 850 milionë euro. Po ashtu, edhe kompania tjetër Amber Shine ofroi një vlerë të lartë për blerjen e kompanisë prej 750 milionë euro, ndërsa firma gjigande ruse në fushën e gazit e të energjisë, GAZPROM ofroi një nga vlerat më të ulëta, prej 52 milionë dollarësh.
Procesi i tenderit do të kalojë në dy faza. E para lidhet me shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit (proces i cili vazhdon prej ditës së premte), ndërsa në fazën e dytë, komisioni i vlerësimit do të shqyrtojë dhe vlerësojë ofertat deri në shpalljen e fituesit, i cili do të bëhet publik në një moment tjetër nga Ministria e Ekonomisë.
Pjesë e komisionit vlerësues, por pa të drejtë vote, do të jetë edhe përfaqësues nga firma amerikane konsulente për privatizimin “Pattern Boggs”. Paketa e aksioneve të Albpetrolit përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25 vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›