E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryker: Demilitarizimi e bën Shqipërinë më të sigurt dhe një faktor paqeje në rajon

09-09-2012 / Gazeta 55

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA, Reeker dhe ministri i Mbrojtjes, Imami vizitë në uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës

Në ditën e katërt të qëndrimit të tij në Shqipëri, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Reeker i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vizitoi dje qytetin e Elbasanit, ku ndoqi nga afër procesin e demontimit të armëve në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me procesin e demontimit të municioneve të tepërta në Uzinën e Mjekësit, si dhe vazhdimi i projekteve për demontimin e mëtejshëm të municioneve deri në përfundim të këtij procesi brenda vitit 2013. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve rreth kësaj vizite, ministri i Mbrojtjes Imami, theksoi se, “të gjithë këto linja janë në fakt kontribut i posaçëm i Departamentit të Shtetit Amerikan”. “Me këtë rast dua të falënderoj zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Philip Reeker për të gjithë ndihmën dhe suportin që ka dhënë në këtë proces të demilitarizimit, që në analizë të fundit, në instancë të fundit, është me të vërtetë një punë e përbashkët dhe një sukses i përbashkët”- tha ai.
Diplomati amerikan, Filip Reeker, duke ndjekur nga afër të gjithë procesin e demontimit të armëve, garantoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në këtë proces. “Ka qenë shumë interesante për mua që të shikoja sot këtë operacion dhe jam shumë krenar që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në procesin e demilitarizimit. Shkatërrimi i këtyre municioneve të panevojshme e bën Shqipërinë më të sigurt. Jemi shumë të lumtur që jemi partner me Shqipërinë dhe shumë të kënaqur që e kemi Shqipërinë një aleate të plotë të NATO”- u shpreh Reeker.
Në fillim, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Reeker dhe ministri i Mbrojtjes Imami janë pritur nga drejtori i uzinës, Daniel Karanxha, i cili, i informoi mbi punën e bërë dhe arritjet e shënuara në Uzinën e Mjekësit gjatë procesit të demontimit të municioneve të tepërta, linjat e reja të ngritura për mbarëvajtjen dhe shtimin e ritmit të demontimit, si dhe masat e marra për përfundimin e këtij procesi, brenda 6-mujorit të parë të vitit 2013, i cili përbën edhe një ndër objektivat kryesore të ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë Berisha. Drejtori i uzinës ka falënderuar veçanërisht SHBA, NATO, OSBE dhe të gjithë vendet partnere që kanë mbështetur dhe ndihmuar për mbarëvajtjen e procesit të demontimit industrial në Uzinën Mjekësit. Ndihma e SHBA në këtë uzinë ka arritur shumën 4 milion dollarë që prej vitit 2010. Kjo ndihmë është siguruar nëpërmjet një sërë granatesh për Agjencinë e NATO për Mirëmbajtje dhe Furnizim (NAMSA) dhe ka inkurajuar procesin për një Shqipëri më të sigurt e të parrezikshme. Për ekipin amerikan dhe të pranishmit e tjerë në këtë vizitë është prezantuar edhe një brifing, në të cilin u pasqyrua historiku i Uzinës së Lëndëve Plasëse të Mjekësit, që nga krijimi i saj në vitin 1965 dhe deri në ditët e sotme. Uzina e Mjekësit ka qenë një ndër uzinat me emër të industrisë ushtarake. Që nga viti 2001, kur nisi për herë të parë procesi i demilitarizimit të municioneve të tepërta në Shqipëri, ajo është shndërruar në një uzinë që ka dhënë dhe po jep një kontribut të madh në këtë proces disavjeçar, duke bërë të mundur demontimin në rrugë industriale të rreth 60 % të municioneve të tepërta në vendin tonë. Gjatë këtyre viteve, sidomos nga viti 2009 janë ngritur dhe janë vënë në funksionim disa linja të reja demontim, të cilat kanë bërë të mundur rritjen e kapacitetit të demontimit të municioneve. Në vitin 2010 nga kjo uzinë janë demilitarizuar 4 000 ton municione, në vitin 2011 6 000 ton, ndërsa për vitin 2012 deri tani janë demilitarizuar mbi 5 000 ton municione të tepërta. Gjithashtu një brifing (simulim të demontimit) ka prezantuar edhe supervizori i Projektit të Besimit të NATO për asgjësimin e municioneve të tepërta, z. Arben Kotobelli, ku ka përshkruar ecurinë e projektit në Uzinën e Mjekësit që mbështetet nga Agjencia për Mbështetje e NATO, NSPA. Ky projekt mbështet Planin Kombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes për asgjësimin e municioneve të tepërta brenda 6 mujorit të parë të vitit 2013. Ai ka propozuar që ULP Mjekës me përvojën e fituar mund të përdoret në të ardhmen si Qendër Rajonale për demilitarizimin e municioneve, ku NSPA mund të koordinojë projektet mes vendeve të rajonit tonë. Më pas, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit Reeker, ministri i Mbrojtjes Imami dhe personalitetet e tjerë që i shoqëronin kanë vizituar Muzeumin e Uzinës, zyrat e reja të drejtorisë, sistemin e monitorimit të uzinës, si dhe disa nga repartet dhe linjat e ngritura për demontimin e municioneve të tepërta, si linjën e demilitarizimit të minave kundër tanke, linjën e demilitarizimit të predhave të kalibrit 75-152 mm etj.

Riker, të hënën vizitë në Prishtinë

SHBA nxit dialogun Kosovë-Serbi

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker të hënën do të vizitojë Republikën e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës. Pas takimit të përbashkët, kryeministri Hashim Thaçi dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i shtetit, Filip Riker, do të mbajnë një konferencë për shtyp. Vizita e Rikerit në Kosovë ka për qëllim shtyrjen përpara të dialogut të ardhshëm politik mes të Kosovës dhe Serbisë. Po sipas këtij burimi, gjatë këtij takimi Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i shtetit, do të ofrojë sigurinë e SHBA-së në këtë proces.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›