Berisha: “Opozita të votojë draftin për imunitetin edhe me ndryshimet kushtetuese”
Qeveria i është rikthyer nismës ligjore për heqjen e imunitetit të deputetëve. Ky projektligj nuk u shqyrtua gjatë mandatit të parë për shkak se opozita kundërshtoi, por edhe pasi Komisioni i Venecias rekomandoi votimin me shumicë të cilësuar. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha e cilësoi me rëndësi luftën ndaj korrupsionit, ndaj dhe theksoi nevojën që askush të mos jetë imun ndaj tij. Ai ftoi opozitën të japë miratimin e saj pro heqjes së imunitetit, qoftë edhe përmes ndryshimeve në Kushtetutë. Sipas kreut të qeverisë, në Shqipëri nuk duhet të ketë asnjë njeri që të mbrohet nga imuniteti.
Drafti
Kreu i Ekzekutivit e ka cilësuar tentativën për heqjen e imunitetit të deputetëve si një "betejë", e cila ka hasur në kundërshtinë e Partisë Socialiste. “Partia Demokratike, në opozitë 7 vjet më parë, paraqiti draftin për heqjen e imunitetit të deputetëve; partia në pushtet e mohoi. Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike sërish u paraqitën ligje për heqjen e imuniteteve në tërësi, sërish forca tjetër politike kundërshtoi në mënyrë absurde. Sot, pas 5 vitesh nga ajo periudhë, shohim se Partia Socialiste të ketë realizuar gabimin që bëri në refuzimin e ligjit”, - u shpreh Berisha, duke shtuar se “në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitarë në raport me korrupsionin, pavarësisht nga komentet, por kjo maxhorancë dhe në kundërshtim flagrant me bindjet e saj, në kundërshtim të hapur me të gjithë opinionin e vet, ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitetet. Mirë është t’ua hapim rrugën. Ne të gjithë, së bashku me Partinë Socialiste, bëmë ligjin për heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe e bëmë shumë mirë. Shpresoj që në vendimin e ardhshëm të Parlamentit të shënojmë një hap të ardhshëm të ri në luftën kundër korrupsionit”.
Ftesa
Kryeministri Berisha, në kuadër të miratimit të draftit për heqjen e imunitetit të deputetëve, e ftoi opozitën të marrë pjesë në votim, qoftë edhe duke bërë ndryshime ligjore mbi këtë draft, i cili është shqyrtuar edhe në Komisionin e Venecias. “Ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë Partia Socialiste. Po të dojë të zbatojmë udhëzimin e Komisionin të Venecias dhe të bëjmë ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime. Por edhe sikur ndryshimet kushtetuese të bëhen, do të ishte një shërbim mjaft i madh që do t’i bënim këtij vendi dhe këtyre qytetarëve. Në Shqipëri nuk duhet të ketë imunitet në raport me korrupsionin. Kjo maxhorancë ka votuar dhe do të votojë çdo kërkesë që qeveria apo gjykatat e vendit do të paraqesin për anëtarët e saj për imunitet”, - tha Berisha, duke u shprehur se “ne jemi gati, kemi qenë përherë për një ligj të tillë që Partia Socialiste e ka kundërshtuar. Ky ligj shkoi në Komisionin e Venecias, u shqyrtua dhe ka ekspertizën e shkëlqyer të këtij komisioni. Unë shpresoj dhe dua shumë të shpresoj që Partia Socialiste ta pranojë, sepse do t’i bëjë një shërbim shumë të madh këtij vendi”.
Berisha merr pjesë në studimin mbi gjendjen e erozionit të tokës
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në prezantimin e studimit “Për gjendjen e erozionit detar dhe përcaktimin e masave për mbrojtjen ndaj tij”, të hartuar nga grupi i punës i ngritur për këtë qëllim, sipas një urdhri të kryeministrit muajin e kaluar. Grupi i punës, i drejtuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, përbëhet nga specialiste të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga Ministria e Financave, Shërbimi Gjeologjik shqiptar, Universiteti Politeknik i Tiranës, si dhe ekspertë të tjerë të fushës nga institucione të ndryshme. Pas prezantimit të studimit nga specialistët përkatës, kryeministri Berisha mori fjalën duke përgëzuar grupin e punës për studimin serioz të realizuar për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, siç është gjendja e erozionit detar dhe masat për mbrojtjen ndaj tij. Duke e cilësuar erozionin si sëmundjen më të rëndë të tokës, kryeministri u shpreh se ky fenomen paraqet një situatë realisht emergjente në brigjet e vendit, e cila kërcënon qindra dhe mijëra kilometra katrorë tokë, vlera të mëdha historike, zhdukje të plazheve tradicionale.
Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që me urgjencën më të madhe të bllokohet çdo veprimtari kërcënuese për shtretërit e lumenjve, si dhe kërkoi nga ministritë përkatëse që të merren masat për pezullimin e çdo lejeje dhe çdo aktiviteti që ndikon negativisht në problemin e erozionit. Gjithashtu, kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që Ministria e Mjedisit të parashikojë me përparësi absolute pyllëzimin sa më intensiv të vijës bregdetar, si dhe në bashkëpunim me komunat, qarqet të përcaktohen me përparësi të madhe mbjellja e kultivimi i drurëve, të cilët presin këtë fenomen. Kryeministri garantoi se qeveria do ta marrë këtë studim, do ta vlerësojë dhe do ta shndërrojë atë në një program pune për të nisur në bashkëpunim me hartuesit
8 Qershor 2010