Qeveria hap tri degë "gjermane" në Universitetin e Durrësit
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje çeljen e tri degëve të reja profesionale në Universitetin e Durrësit. Ato do të kenë profil gjerman, pasi degët kanë asistencën e këtij shteti. Vetëm një muaj më parë, ambasadori gjerman në vendin tonë dhe ministri i Arsimit prezantuan projektin "Akademia profesionale", që synon orientimin e të rinjve drejt degëve, që të japin një profesion në një kohë të shkurtër. Kështu, këtë shtator do të çelen tri degë të reja: Menaxhimi i bankave, Menaxhimi i hoteleri-turizmit, Menaxhimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme pranë universitetit "Aleksandër Moisiu". E veçanta e tyre është se teoria ndërthuret me praktikën gjatë tre viteve të shkollës dhe më tepër shkolla ka asistencën e pedagogëve gjermanë. Kjo shkollë që aplikohet për herë të parë në vend, quhet ndryshe e Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Pra, studenti gjatë kohës së studimeve bën edhe praktikën në ndërmarrje shtetërore dhe private. Këtë vit pranohen 30 studentë në vitin e parë dhe tarifa është 30 mijë lekë në vit. Kjo lloj shkolle ofron arsimim universitar, të ciklit të parë dhe të dytë. Sipas vendimit të qeverisë, shkolla do të mbështesë të diplomuarit për të hyrë në jetën e punës, nëpërmjet bashkëveprimit me qendrat e trajnimit profesional të studentëve. Qendrat e trajnimit profesional, në kuadër të këtij vendimi, janë sipërmarrje nga fusha e ekonomisë, institucione të krahasueshme jashtë fushës ekonomike, veçanërisht profesionet e lira, si dhe institucionet e partnerëve nga fusha sociale. Ata mund të marrin pjesë në arsimimin në kuadrin e FASTIP-it, në rast se janë në gjendje të ndërmjetësojnë përmbajtjet e përcaktuara arsimore.
Diplomat e FASTIP-it akreditohen brenda 3 vjetësh nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë të Shqipërisë dhe Agjencia e Akreditimit e Landit Baden Wuerttemberg, të RF të Gjermanisë.
Diplomat e FASTIP-it akreditohen brenda 3 vjetësh nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë të Shqipërisë dhe Agjencia e Akreditimit e Landit Baden Wuerttemberg, të RF të Gjermanisë.