E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i aseteve shtetërore, edhe me anë të letrave me vlerë

Privatizimi i objekteve shtetërore i paralajmëruar nga ministria e Ekonomisë do të bëhet me anë të letrave me vlerë. Sipas ekspertëve, përdorimi i bonove të privatizimit në këtë proces do të ndihmojë ish pronarët në riaktivizimin e letrave me vlerë, të cilat me një vendim qeverie kanë filluar të përdoren në masën deri 70% edhe në procesin e legalizimit

Rritet fushë-veprimi edhe për bonot e privatizimit. Ministria e Ekonomisë ka hapur tenderin për privatizimin e ish objekteve shtetërore, duke favorizuar kështu ish pronarët që të përdorim letrat me vlerë në ankandet që janë hapur. Drejtori i privatizimeve në ministrinë e Ekonomisë sqaron mënyrën që do të ndiqet për privatizimin e objekteve shtetërore dhe mundësinë që do të përfitojnë ish pronarët nga pagesat me letrat me vlerë. “Ministria e Ekonomisë është në një moment që po pret listat nga të gjitha ministritë, të cilat do të sjellin asetet që nuk do t’i përdorim më për nevoja publike. Gjatë kësaj kohe Ministria e Ekonomisë ka nxjerrë në privatizim të gjitha objektet e ndërmarrjeve në varësi të saj. Janë 300 komisione të cilat janë në punë e sipër për asetet e ndërmarrjeve shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Gjithashtu po punohet edhe me privatizimet e vogla, të cilat vijnë nga kërkesat e ish pronarëve. Të gjithë objektet shtetërore që mund të jenë reparte ushtarake, mund të jenë godina të rrënuara të mbetura, ish institucione, asete ndërmarrjesh, privatizimi kryhet me 80 për qind me letra me vlera dhe 20 për qind me kesh. Në rast se nuk ka pronarë atëherë është 100 për qind me paratë kesh”, u shpreh ai.

Bonot e privatizimit përveç kësaj fushate po përdoren edhe për legalizimin e banesave, duke favorizuar qytetarët që një pjesë të pagesave monetare ndaj ALUIZNIT, të shlyen me letrat me vlerë. 70 për qind e vlerës së legalizimeve do të paguhet me letrat me vlerë, një proces që për ata persona që kanë kryer legalizimin me para në dorë ky afat shtrihet në tre muaj kohë. Ndërsa për personat që janë në proces legalizimi ata duhet të paraqiten pranë sporteleve të ALUIZNIT dhe të plotësojnë formularin për pagesat me letrat me vlerë deri në 70 për qind. Përdorimi i bonove në privatizime si dhe në legalizimin e ndërtimeve pa leje, pritet të shtojë ndjeshëm vlerën e tyre në treg.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›