E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreh gruan dhe përplas në tokë fëmijën 40-ditësh

09/10/2009  Sherri për motive xhelozie, përfundojnë në spital. Fëmija me dëmtime në kokë

KORÇE- Xhelozia e papërmbajtur e një 33-vjeçari ndaj bashkëshortes së vet e ka çuar atë drejt një akti të dhunshëm, ku si pasojë e dhunës së ushtruar ka mbetur e plagosur jo vetëm gruaja e tij, por edhe fëmija e porsalindur, vetëm 40 ditë, ku këtë të fundit e ka përplasur për toke, duke i shkaktuar dëmtime serioze për jetën. Mësohet se pas këtij sherri, bashkëshortja e dhunuesit dhe biri i tyre kanë përfunduar në spitalin e Korçës, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, mendohet që dy viktimat e dhunës të jenë jashtë rrezikut për jetën, por gjithsesi nën mbikëqyrjen e mjekëve. Veçanërisht bëhet fjalë për jetën e fëmijës, i cili kishte marrë dëmtime në kokë.

Viktimat

Nga burime të policisë së Korçës mësohet se protagonist i kësaj ngjarjeje të rëndë është 33-vjeçari, Fredi S., lindur dhe banues në fshatin Libonik të rrethit Korçë, ndërsa dy viktimat e tij janë bashkëshortja e tij, Valentina Z. dhe fëmija i tyre, Xh. S., vetëm 40 ditë. Të njëjtat burime pohuan se mes bashkëshortëve, Fredi S. dhe Valentina Z. kishte pasur një sherr mes tyre, i shkaktuar për motive të dobëta xhelozie, por që ky sherr kishte agravuar deri në goditje me grushte, ndërsa më pas, humbja e kontrollit nga ana e Fredi S. do ta çonte këtë të fundit në një akt dhune edhe ndaj fëmijës së tij. Sipas policisë, gjithë ngjarja e mësipërme ishte mësuar, në kohën kur një informacion bënte të ditur se në repartin e Pediatrisë, në spitalin civil të Korçës, kishte mbërritur në gjendje relativisht të rëndë shëndetësore një fëmijë 40 ditësh, çka solli dhe ngritjen e menjëhershme të grupit hetimor për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Fillimisht ai kishte rrahur nënën e fëmijës, e cila në çastin që po rrihej nga bashkëshorti i saj kishte pasur në krah fëmijën e porsalindur. Megjithatë, Fredi S., në çastin që sherri ishte agravuar së tepërmi nuk kishte kursyer as fëmijën e vet. Burimet policore sqaruan se ai kishte rrëmbyer fëmijën nga krahët e së shoqes dhe e kishte përplasur atë pas toke, duke i shkaktuar dëmtime në kokë. Pas kësaj fëmija është çuar në spitalin e Korçës, ku pas ndihmës së parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fill pas zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes, burime të policisë konfirmuan se u bë ndalimi i shtetasit Fredi Saliu për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›