Mediu, gjykatës: Urdhëroni Prokurorinë të fillojë hetimet ndaj Ina Ramës
Fatmir Mediu i kërkon gjykatës të urdhërojë Prokurorinë për nisjen e hetimeve ndaj Kryeprokurores Ina Rama dhe kreut të hetimeve për Gërdecin, Sokol Stojani. Përmes dy padive në Gjykatën e Tiranës, ish-ministri i Mbrojtjes kërkon që dy gjyqtarë të vendosin për këtë kërkesë të tij, lidhur me vendosjen nga gjyqtarët për fillimin e hetimeve për Kryeprokuroren dhe drejtorin e Zyrës së Hetimeve dhe Ndjekjes Penale, të akuzuar për nxjerrje të sekretit hetimor. Dy paditë do të gjykohen veçmas nga gjyqtarët Femi Petku dhe Kreshnik Omari, të cilët në ditët në vazhdim do të marrin në shqyrtim këto kërkesa të Mediut. Përmes avokatëve të tij, ish-ministri kërkon që gjykata të vendosë rinisjen e hetimeve për nxjerrjen e sekretit hetimor, pas vendimit të Prokurorisë së Tiranës të firmosur nga kreu i saj, Gent Xholi, për mosfillim të hetimeve. Kërkesa e parë mban nr. 876 dhe është regjistruar më 08.05.2009 me paditës shtetasin Fatmir Mediu, i cili kundërshton vendimin e Prokurorisë për mosfillim të hetimeve dhe do të gjykohet nga gjyqtari Femi Petku. Ndërsa kërkesa e dytë që mban nr. 921 dhe është regjistruar më 15.05.2009, me paditës po ish-ministrin Fatmir Mediu do ketë gjyqtar kryesues Kreshnik Omarin. Bëhet fjalë për një kallëzim penal të depozituar gati një muaj më parë, ku e akuzonte kreun e akuzës shqiptare për nxjerrje të sekretit hetimor gjatë një konference shtypi, atëherë kur zonja Rama sqaroi për publikun detaje mbi tragjedinë që mori jetën e 26 personave dhe u plagosën 300 të tjerë. Ndërsa për drejtorin e zyrës më të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme, po ashtu edhe kreu i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, Sokol Stojanin, ish-ministri pretendon se ka dërguar mesazhe gjatë një debati televiziv, me qëllim denigrimin e figurës së tij. Por, Prokuroria e Tiranës e pushoi çështjen në fillim të majit me arsyetimin se mungonin elementë për nisjen e procedimit penal, çka solli edhe dërgimin e dy ankimeve në Gjykatën e Tiranës. Këto dy padi do të gjykohen veç nga njëra-tjetra nga gjyqtarët Femi Petku dhe Kreshnik Omari.