E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maloviç: Ina Rama nuk e ka refuzuar kërkesën serbe



Ministrja e Drejtësisë Snezhana Maloviç ka deklaruar dje se Prokuroria Shqiptare nuk ka refuzuar kërkesën e prokurorisë serbe për hetimin në Shqipëri mbi dyshimet për trafikim të organeve të serbëve nga shqiptarët gjatë luftës në Kosovë. Në një deklaratë për shtyp Maloviç ka thënë se “Prokuroria shqiptare nuk e ka refuzuar kërkesën. Në takim është arritur pajtim që të gjitha faktet që ka Prokuroria për Krime Lufte në Beograd t’ia ofrojë palës shqiptare dhe anasjelltas”. Këto deklarata kanë ardhur një ditë pasi prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, tha se nuk do ta ndihmojë Prokurorinë e Serbisë për krime të luftës Vladimir Vukçeviç lidhur me hetimet për këtë çështje. “Asociated Press” citon prokuroren Rama të ketë thënë se Shqipëria do t’u ndihmonte vetëm prokurorëve të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, nëse ky rast do të rihapej nga ky tribunal. Prokuroria serbe për Krime Lufte ka nisur hetimin e saj pas publikimit të detajeve të një libri të shkruar nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte, lidhur me hetimet e gjykatës. Sipas prokurorit serb hetimet në lidhje me rrëmbimin dhe trafikimin e organeve të serbëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999, nisën nga Prokuroria e Beogradit dhe deri tani është bërë mjaft për të zbuluar të vërtetën e asaj që ndodhi në vitin 1999 në Kosovë dhe veri të Shqipërisë.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›