E Diel, 1 Nëntor 2026

Planifikoi pritë me armë pas një grindjeje, arrestohet 15-vjeçari



Fier- Policia ka ndërhyrë në kohë për parandalimin e një krimi në Patos. Një 15-vjeçar është vënë në pranga, në tentativë për të vrarë dy shtetas, pas një sherri që cilësohet për motive të dobëta. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, mësohet se i arrestuari është adoleshenti 15-vjeçar me inicialet N.P. “Ky person, banues në Patos, u ndalua në flagrancë pas sinjalizimeve policore se ai ishte i armatosur dhe gati të kryente një krim”, - thanë pak më parë të njëjtat burime. Nga hetimet për ngjarjen mësohet se arrestimi i tij është bërë pasi në lagjen “Naftëtari” të Patosit ka tentuar të vrasë me armë zjarri, tip automatik, dy shtetas, F.S dhe A.S. “Këta persona gjatë kohës që ishin vënë në shënjestër kanë qenë duke lëvizur me një autoveturë tip benz me targa Fr 1259 C”, - thanë burimet policore. Pas informacioneve, policia është vënë në ndjekje të autorit, duke bërë të mundur ndalimin e tij. Ndërkohë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, e cila u gjend në afërsi të varrezave të Patosit. I riu është shoqëruar në polici dhe pritet që pas dëshmisë së tij të hidhet dritë rreth motiveve të ngjarjes.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›