E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizohet pa tender banka "arabe"

Ministria e Financave njoftoi dje se ka shitur paketën e vet të aksioneve të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, (ish-Banka Arabo-Islamike), por nuk bëri të ditur formën e privatizimit. Blerësi është Banka Islamike për Zhvillim, (IDB), e cila kishte një pjesë të aksioneve. Kontrata u nënshkrua nga ministri Ridvan Bode dhe përfaqësuesi i bankës z. Azfar Hussain Qarni.

"Ne e konsiderojmë këtë një privatizim të suksesshëm, që konfirmon deklaratat tona se sistemi bankar dhe ekonomia shqiptare janë ende shumë të besueshme në sytë e investitorëve dhe të kompanive të huaja që veprojnë jo vetëm në ekonominë reale, por edhe në sistemin financiar, konkretisht në sistemin bankar", tha ministri Bode.

Ministria nuk dha sqarime mbi procedurat e ndjekura në këtë privatizim, por tha për "Shqip" se, Bankës Islamike iu dha e drejta e parablerjes si aksionari kryesor duke ofruar më tepër nga të tjerët. Lajmi për nënshkrimin e kontratës së privatizimit erdhi surprizë. Qeveria pati miratuar shitjen e aksioneve të UBA-s në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë, asgjë nuk u bë publike nga procedurat. Vetë Bode thotë se vlera e shitjes është 3 milionë dollarë më e lartë sesa parashikimi i vitit 2006.

Banka e Bashkuar e Shqipërisë u themelua në vitin 1993 si Banka Arabo-Islamike. E konceptuar si një bankë që do të zbatonte parimet e bankingut islamik, ku interesat nominale janë të ndaluara në huadhënie dhe huamarrje, ndryshoi emër dhe metodë bankingu disa vite më parë. Në fund të vitit të kaluar, pati 42 milionë dollarë asete dhe 11 milionë dollarë kapital të paguar. Viti 2008 u mbyll me bilanc negativ. Humbjet neto sipas të dhënave të bilancit të paaudituar të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, qenë rreth 400 mijë dollarë. UBA ka 0.5% të tregut të kredive në Shqipëri, gjashtë degë dhe 76 punonjës. IDB-ja do të ketë mazhorancë në UBA me 55% të aksioneve. Më parë ajo kishte 15%. IDB është krijuar në kuadër të Konferencës Islamike dhe ka financuar më parë disa projekte infrastrukturore në Shqipëri.

Qeveria shqiptare duket e vendosur të rigjallërojë marrëdhëniet me Konferencën Islamike. Pak javë më parë, qeveria vendosi të hyjë me kapital themeltar në Korporatën Islamike të Biznesit, një degë e IDB-së, e cila do të financojë projekte biznesi privat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›