E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Zgjedhjet janë në rrezik

Skeptike dhe mosbesuese për projektvendimin e qeverisë, që përcakton uljen e çmimit të kartave të identitetit për disa kategori qytetarësh. Këtë qëndrim mbajti dje Partia Socialiste, e cila nuk e shikon lehtësuese as idenë për të rimbursuar qytetarët pas pagesës së çmimit aktual. Socialistët vijuan të kërkojnë që kartat e identitetit të jepen falas, pasi, sipas tyre, vendimi më i ri i ekzekutivit për këtë proces më shumë e vështirëson se sa e lehtëson atë. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ngriti një numër pikëpyetjesh për realizimin e vendimit të ri, pasi Ministria e Brendshme publikoi kategoritë që përfitojnë uljen e çmimit të kartës si pensionistët, studentët, apo ata persona që deri më 28 qershor mbushin 18 vjeç. "Kush do të përcaktojë nxënësin apo studentin, përsëri operatorja në aplikim? Çfarë lehtësie është kjo që t‘i thuash qytetarit shko paguaj 12 mijë lekë dhe më pas unë do ta rimbursoj atë?! Kur dhe si, apo ashtu sikurse ka rimbursuar gjoja energjinë elektrike deri më sot?!" - konstatoi Ruçi. Kreu i Asamblesë Parlamentare të Partisë Socialiste nënkuptoi se pavarësisht tërheqjes së qeverisë nga pozicioni fillestar i saj për çmimin e kartave, kushti i opozitës nuk është plotësuar ende. Ndaj, vijoi ai, Partia Demokratike do të vijojë të kërkojë që Parlamenti të miratojë nismën ligjore për karta identiteti falas, kryesisht për ata pa pasaportë. "Në vend që qeveria të miratojë propozimin nga subjekti ynë politik, ajo i përgjigjet me gjysmë lehtësirash, që më shumë e komplikojnë dhe e vështirësojnë procesin, se sa e zgjidhin atë", shtoi Ruçi. Edhe një herë, në emër të Partisë Socialiste, Ruçi i bëri thirrje Kryeministrit Berisha që të "mos bëjë shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbëngulës të opozitës, për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë një herë e përgjithmonë nga mendja e tij shpresën për të manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit". Ruçi nënvizoi se kartat e identitetit janë faktor kyç për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, teksa shprehu sërish shqetësimin se zgjedhjet janë në rrezik. Drejtuesi i socialistëve akuzoi sakaq qeverinë për mungesë transparence. Ai iu referua të dhënave për ecurinë e pajisjes së qytetarëve me kartë identiteti, shpërndarjes së pikave të aplikimit, numrit jo real të shpallur nga Ministria e Brendshme për shtetas pa pasaportë, si dhe listave të zgjedhësve. "Procesi i aplikimit është i ngadaltë, ndërsa nga 331 qendra aplikimi janë hapur vetëm 143 të tilla", u shpreh Ruçi. Problem për PS-në vazhdon të mbetet numri real i shtetasve pa pasaportë. Kjo parti mendon se qeveria ka fshehur shifrën e vërtetë dhe mohon se janë 730 mijë shtetas, por më shumë se 900 mijë të tillë. Veç të tjerash, Ruçi evidentoi si problem edhe mungesën e transparencës me listat zgjedhore. Ai u shpreh se në listat paraprake mungojnë rreth 200 mijë persona, megjithëse vëmendja më e madhe e PS-së është te procesi i kartave të identitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›