E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pr/ligji për diskriminimin, shqyrtohet në Komision

TIRANE- Komisioni Parlamentar i punës, cështjeve sociale dhe shëndetësisë ka shqyrtuar në mbledhjen e rradhës projektiligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, iniciative kjo e një grupi deputetësh të kuvendit. Për anëtarët e komisionit, ky projektligj shihet si i rëndësishëm, pasi sipas tyre vendoset respektimi i parimit të barazisë në luftën kundër diskriminimit. Një prej deputetëve iniciatorë, Rajmonda Bulku, tha se ky projektligj ka për qëllim të parandalojë dhe ndëshkojë të gjitha format e diskriminimit për shkaqet që kanë të bëjnë me gjininë, rracën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet fetare dhe politike etj. “Hartuesit e këtij projektligji kanë treguar kujdes të vecantë që në dispozitat e tij të respektohen garancitë kushtetuese të qytetarëve. Në këtë projektligj duhet patur parasysh që diskriminim nuk do të thotë cdo lloj trajtimi të ndryshëm por vetëm ai që shoqërohet me mungesën e një arsye ligjore për të. Trajtimi ndryshe lejohet në cdo rast që ai justifikohet. Ligji gjithashtu merr përsëipër të mbrojë individë që i ëprkasin një grupi të vecantë, ndjehen të vecantë dhe kanë nevojë të respektohën si të gjithë të tjerët. ” u shpreh deputetja e PD, Rajmonda Bulku. Përsa i përket personave me orientim seksual të njëjtë, ndryshe homoseksualëve, projektligji nuk parashikon legalizimin e martesave mes tyre por të mbrojtjes nga diskriminimi. Sipas Komitetit të Helsinkit, martesat mes gjinisë së njëjtë, nuk legalizohen nga ky projektligj por duhet bërë ndryshimi i kodit familiar, ndryshim i cili kërkon votim me shumicë të cilësuar në parlament. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›