Kriza, Fullani: Bankat kanë dhënë më pak kredi
Kriza globale ka dhënë efektet e saj edhe në ekonominë vendase. Të ardhurat e emigrantëve kanë pësuar rënie, po ashtu edhe eksportet e mallrave shqiptarë. Përveç kësaj, bankat kanë rrudhur dorën për sa i përket dhënies së kredive. Pas krizës së bankave në botë, bankat që operojnë në tregun vendas kanë shtrënguar kushtet për dhënien e kredive. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka raportuar dje në komisionin e ekonomisë raportin vjetor të bankës. “Gjatë vitit 2008, portofoli i kredisë bankare u rrit me 7.3 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2008”, tha Fullani. Por si pasojë e krizës, ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rënie gjatë vitit, duke reflektuar si shtrëngimin e standardeve të kredidhënies në përgjigje të masave rregulluese të marra nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe shtrëngimin e kushteve të likuiditetit në sistem. Vështirësitë e bankave për gjenerimin e mjaftueshëm të likuiditeteve, si dhe një politikë më e kujdesshme e tyre drejt kreditimit, u reflektuan në ngadalësimin e rritjes së kredisë për ekonominë dhe të financimit të sektorit fiskal. Gjatë fjalës së tij, Fullani i ka rekomanduar edhe një herë qeverisë që të jetë më e kujdesshme, për sa i përket shpenzimeve. “Ulja e deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 dhe angazhimi për reduktimin e borxhit publik në horizontin afatgjatë, duhet të jenë prioritete konstante të organeve fiskale. Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë gjykon se duhen bërë më shumë përpjekje për përmirësimin e strukturës së shpenzimeve, në funksion të uljes së peshës së shpenzimeve korente dhe rritjes së investimeve kapitale”, është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.