E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës i shton parkut “Rinia” 1 mijë metra katrorë hapësirë të gjelbër

25-09-2011 / Gazeta 55

Rreth 1 mijë metra katrorë hapësirë e gjelbër i janë shtuar Parkut “Rinia”, nga Bashkia e Tiranës, e cila po vijon aksionin për të kthyer zonat e betonizuara në hapësira të gjelbra. Bashkia e Tiranës ka kthyer në shërbim të qytetarëve hapësirën publike që dikur shërbente në mënyrë të paligjshme si parking automjetesh për interesa të kompleksit të Tajvan, te parku “Rinia”. Policia bashkiake në Tiranë ndërmori pak ditë më parë një aksion për lirimin e hapësirave publike pranë kompleksit Tajvan tek Parku “Rinia”, sot në këtë hapësirë janë mbjellë 54 rrënjë drurë dhe shkurre dekorative të tetë llojeve të ndryshme. Në një prononcim për mediat, drejtori i gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, Arben Rushi, theksoi se, kthimi i zonave të betonizuara në hapësira të gjelbra është një nga prioritetet e bashkisë. “Bashkia sensibilizon të gjithë ata qytetarë të cilët kanë zënë hapësirat publike duke i betonizuar ato, t’i lirojnë, pasi do të kthehen sërish në hapësira të gjelbra për qytetarët e Tiranës”- tha Rushi. Falë aksionit të bashkiakëve, sot hapësira e zënë padrejtësisht, është kthyer në lulishte për qytetarët, duke iu bashkuar kështu pjesës tjetër të gjelbëruar në parkun “Rinia”. Parkingu privat dhe i ndërtuar pa leje, kishte zaptuar hapësirën publike të qytetarëve. Ndërkaq, Policia Bashkiake paralajmëron të tjera aksione në gjithë qytetin për kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit dhe qytetarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›